Botë
Gjykata e Hagës kërkon të arrestohet Putini: Për Ukrainën historik, për Rusinë i pavlefshëm
18.03.2023 14:43
Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin...

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë ka lëshuar urdhër-arrest për presidentin rus Vladimir Putin dhe zyrtaren ruse Maria Lvova-Belova për krijimin e një skeme për deportimin e fëmijëve ukrainas drejt Rusisë.
Gjykata tha se ka dyshime të arsyeshme për të besuar se Putini mban përgjegjësi individuale për krimet e kryera, dhe se i ka kryer ato në bashkëpunim me të tjerë. Për presidentin Ukrainas, ky vendim është historik.
“Është e ndaluar nga ligji ndërkombëtar që fuqitë okupuese të transferojnë civilë nga territori ku ata jetojnë në territore të tjera. Sipas Konventës së Gjenevës, fëmijët gëzojnë mbrojtje të veçantë. Gjyqtarët kanë shqyrtuar informacionin dhe provat e paraqitura nga prokurori kanë konstatuar se ndaj këtyre personave ka pretendime të besueshme për krimet e supozuara, prandaj lëshuam urdhër arrest”, u shpreh kryetari i gjykatës penale ndërkombëtare Piotr Hofmanski.
“Vendimi historik, nga i cili do të fillojë përgjegjësia historike. Kreu i shtetit terrorist dhe një zyrtar tjetë rrus janë bërë zyrtarisht të dyshuar për një krim lufte. Mbi 16,000 raste të dëbimit të detyruar të fëmijëve ukrainas nga okupatori janë regjistruar tashmë në procedimet penale të hetuara nga oficerët tanë të zbatimit të ligjit”, theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Ndërsa për Rusinë vendimet e Gjykatës penale Ndërkombëtare janë të pavlefshme.
"Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale nuk kanë asnjë kuptim për vendin tonë, duke përfshirë edhe pikpamjen juridike. Rusia nuk bashkëpunon me këtë trup gjykues, dhe ‘recetat’ për arrestimet e mundshme që vijnë nga kjo Gjykatë, për ne janë ligjërisht të pavlefshme”, u shpreh zëdhënësja e ministrisë së jashtme së Rusisë, Maria Zakharova.
Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se homologu i tij rus, duhet të ndëshkohet.
"Ai ka kryer qartazi krime lufte dhe duhet të ndëshkohet për këtë. Ne e mbështesim vendimin e Gjykatës", theksoi presidenti i SHBA-së, Joe Biden.
Presidenti rus Vladimir Putin mund të arrestohet nëse këmba e tij shkel në një prej 123 vendeve anëtare të gjykatës.
FARIJE DAUTI BAKIU
