Maqedoni
Dialogu Kosovë – Serbi në Ohër, dakordim për zbatimin e aneksit të marrëveshjes
19.03.2023 15:48
Pas bisedimeve maratonike që zgjatën për rreth 12 orë në Ohër Kosova dhe Serbia...

Pas bisedimeve maratonike që zgjatën për rreth 12 orë në Ohër Kosova dhe Serbia kanë arritur dakordim për të zbatuar aneksin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve. Përfaqsuesi i lartë diplomatik pas mbarimit të takimit deklaroi se pas shumë vështirësive, palët kanë tejkaluar dallimet.
“Mund të deklaroj se Kosova dhe Serbia janë pajtuar mbi aneksin e marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre. Si pjesë e këtij aneksi, palët janë përkushtuar plotësisht të zbatojnë të gjitha nenet e marrëveshjes dhe detyrimet e tyre përkatëse në mënyrë ekspeditive dhe në mirëbesim”, u shpreh përfaqsuesi i lartë diplomatik i BE-së, Josep Borell.
Borell gjithashtu ka informuar se Kosova është pajtuar që të fillojë menjëherë planin për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vet-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pas mbarimit të takimit konfimroi për marrveshje të arritur, por insiston që pala serbe të vendos nënshkrimin e saj. Ai tha se në marrëveshjen bazë është njohje e ndërsjellë de-facto.
“Kemi arritur pajtim publik për një aneks i cili do të udhëzojë zbatimin e marrëveshjes bazë. Pala tjetër njejtë sikurse takimin e kaluar në Bruksel më 27 shkurt po i ikë nënshkrimit të marrëveshjes, tash edhe me aneks. I takon BE-së që të gjejë mekanizmit që ta bëjë këtë marrëveshje ligjerisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme”, theksoi kryeministri Kosovës, Albin Kurti.
Pas marrëveshjes edhe presidneti serb Vuçiç tha se palët kanë arritur një lloj marrëveshje. I pyetur nga gazetarët në Serbi se përse nuk ka nënshkruar marrëveshjen, Vuçiç tha se kjo sipas tij do të nënkuptonte njohjen e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran.
“Së pari, sepse Republika e Serbisë është një vend i njohur ndërkombëtarisht, ndërsa e ashtuquajtura Kosova nuk është. Nuk dua të lidh marrëveshje juridike ndërkombëtare me Kosovën. Ne e pranojmë dhe do të punojmë në zbatimin dhe jemi shumë më të gatshëm se dikush në Prishtinë, i cili është i gatshëm të nënshkruajë dhe është i gatshëm të nënshkruajë sepse do të rezultonte në një detyrim formal-ligjor që Serbia të pajtohet me pavarësinë e Kosovës”, theksoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Pa miqt tanë kjo nuk do të ndodhte. Kjo është edhe një dëshmi se Maqedonia e Veriut është një partner i besueshëm që i ndihmon SHBA-ve dhe BE-së të arrijnë stabilitet rajonal, deklaroi nga Ohri, përfaqsuesi amerikan për Ballkanin Perendimor Gabriel Escobar.
“Është arritur marrëveshje e vështirë, por e pashmangshme për vendosjen e marrëdhënieve paqedashëse në mes të dy palëve. Kjo jo vetëm që i hap dyertë për integrime euroatlantike për të dyja vendet, por e hap edhe derën në rajon për një erë të re të paqes”, u shpreh përfaqsuesi amerikan për Ballkanin Perendimor Gabriel Escobar.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut në fund të bisedimeve 12 orëshe tha se me marrëveshje, me diplomaci, mund të arrihet vetëm marrëveshje për përparim. Dialogu sipas tij është mekanizmi i vetëm që shtetet në rajon ti zgjidhin mospajtimet e tyre.
“Paqja, pajtimi dhe zhvillimi ekonomik janë parakushte kryesore për progres të përshpejtuar për gjithë Ballkanin Perendimor drejt Bashkimir Evropian”, theksoi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Të hënën liderët evropian do të mblidhen në Bruksel, kurse eurokomisari Borell do ti informon për të arriturat mes Prishtinës dhe Beogradit dhe për angazhimet e të dyja palëve që kanë për ti plotësuar detyrimet e tyre.
ERSAN PAJAZITI
