Botë

Partitë opozitare në Kosovë, kritikojnë Kurtin për aneksin e marrëveshjes

19.03.2023 16:10

Partitë opozitare në Kosovë, PDK dhe LDK e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti...

Partitë opozitare në Kosovë, PDK dhe LDK  e kanë kritikuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për arritjen e pajtueshmërisë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
 
Ata e kanë cilsuar marrëveshjen në Ohër si humbje historike. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi  përmes një mesazhi në rrjetet sociale, ka shkruar se në më pak se tri javë, Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte.
 
“Me 27 shkurt, në Bruksel, Kryeministri Kurti e pranoi propozimin evropian. Dje, me 18 mars, ai u dakordua edhe për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Në më pak se tri javë, Albin Kurti pranoi gjithçka që kishte premtuar se nuk do të pranonte, përgjatë tërë jetës së tij politike me predikime të rrejshme e mashtrime të panumërta”, ka shkruar Krasniqi. 
 
Epilogu I arritur në Ohër nga Kryeministri Kurti, për Kryetarin  e  LDK-së, Lumir Abdixhiku, është “mashtrim dhe humbje e një mundësie historike”.
 
“Një kauzë politike e rremë - që Kosovës i kushtoi tmerrësisht shumë - përfundoi sonte. Kushtet e vëna, fjalimet e thëna, qëndrimet e dhëna, thjeshtë u zhbënë”, ka thënë ai.
 
Rama përshëndet marrëveshjen Kosovë - Serbi, shpreson se s’do jetë një tjetër mashtrim ballkanik
 
Marrëveshja është përshëndetur edhe nga shteti shqiptar . Por Kryeministri Edi Rama  shpreson se kjo arritje  nuk do të jetë “një tjetër mashtrim ballkanik” 
 
“Të shpresojmë se djalli nuk është në detaje dhe se marrëveshja e rënë dakord, por e panënshkruar, nuk është një tjetër mashtrim ballkanik! Dhe le t'i urojmë sinqerisht katër protagonistët në tryezën e Ohrit, duke uruar që së shpejti marrëveshja të shndërrohet në një realitet të ri të pakthyeshëm mes Kosovës dhe Serbisë, shqiptarëve dhe serbëve, Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian”, ka shkruar Rama në Twitter.
 
Përndryshe, siç vlersoi Rama kjo do të ishte një arritje historike që do të paralajmëronte pranverën e shumëpritur në marrëdhëniet mes dy kombeve më të mëdha të Ballkanit.
 
SANIJE DURAKU