Maqedoni

Strugë, të rinjtë me aktivitet për zgjidhje ekologjike

20.03.2023 13:55

Teksa vendi ynë përballet me krizën energjetike, të rinjtë e Strugës u aktivizuan vullnetarisht për të promovuar mënyra ekologjike jetese...

Teksa vendi ynë përballet me krizën energjetike, të rinjtë e Strugës u aktivizuan vullnetarisht për të promovuar mënyra ekologjike jetese. Shefkije Alasani, aktiviste nga Struga dhe pjesë e rrjetit të Ambasadorëve të rinj evropian, organizoi një marsh simbolik me biçikleta me një grup të rinjsh, si një shembull më i mirë për promovimin e një zgjidhjeje ekologjike. Aktiviteti kishte për qëllim vetëdijesimin e të rinjve se mund të luajnë rol të rëndësishëm për të ulur varësinë nga energjetika dhe mund të kontribuojnë në konsumimin më të ulët të energjisë elektrike. 
 
“Ky është një aksion ndërgjegjësues dhe informues me një grup të rinjsh. Aksioni vullnetar është iniciativë e imja si aktiviste dhe ambasadore e re evropiane për t’i vetëdijesuar të rinjtë se ata mundet të luajnë një rol kyç për një të ardhme më ekologjike. Momentalisht të gjithë po përballemi me një krizë të ashpër energjetike, dhe është momenti të kuptojmë se është shumë e rëndësishme të ulet varësia nga energjetika. Në këtë rast përdorimi i biçikletës si zgjidhje ekologjike është shembulli më i mirë që mundet të promovohet në qytetin e Strugës. Në fakt përmes kësaj zgjidhjeje, ne jo vetëm që e reduktojnë emetimin e lëndëve të dëmshme në ajër, por ndikojmë që të ketë më pak kaos trafiku në qytet dhe padyshim që i bëjmë një shërbim shumë të madh shëndetit tonë.", - u shpreh organizatorja, aktivistja, ambasadorja e re evropiane, Shefkije Alasani. 
 
Aksionit iu bashkuan qytetarë dhe të rinj struganë të cilët biçikletën e shohin si një mjet të mirë për të kryer punët në qytet dhe në ndërkohë për të shmangur ndotjen e ajrit dhe për të reduktuar trafikun. Ata thonë se shoqëria jonë ka nevojë që të rinjtë të informohen për zbatimin e masave ekologjike. 
 
“Ky aktivitet më pëlqen jashtëzakonisht, sidomos për mua biçikleta është pasion dhe një sport shumë i preferuar, çdo ditë e shfrytëzoj biçikletën dhe më pëlqejnë aktivitete të tilla dhe shpresoj që në të ardhmen të ketë më shumë si ky i sotshmi, të vetëdijesohet rinia, biçikleta është e mirë për ekologjinë dhe për ekonominë dhe shëndetin. Un personalisht diku 9 deri në 10 muaj brenda vitit, shumica e kohës është e ngrohtë dhe mjafton mos jetë temperatura minus që ta shfrytëzoj biçikletën prej në fshat në punë.”, - theksoi aktivisti, Shkëlzen Ajruallai.
 
“Mendoj që ne si të rinj kemi një rol të rëndësishëm për një të ardhme sa më ekologjike, aktiviteti i sotëm që është ndërmarrë nga ne të rinjtë është për t’i nxitur ata që të përdorin sa më shumë biçikleta dhe të jenë më aktiv për një jetë më të shëndetshme.”, - u shpreh nxënësja, Blenda Ymeri.
 
Përveç marshit me biçikleta që përcolli mesazh për një jetë më të mirë, të shëndetshme dhe ekologjike, të rinjtë u informuan edhe për paketën ekonomike që Bashkimi Evropian i dha Maqedonisë për përballjen e krizës ekonomike, e cila ishte një ndihmë financiare prej 80 milionë euro, si ndihmë e drejtpërdrejtë në buxhetin e vendit për ulje të barrës financiare imponuar nga çmimi i lartë i energjisë për familjet, bizneset dhe institucionet  e rrezikuara. Me ndihmën financiare nga BE janë  paraparë  edhe investime në burime të qëndrueshme dhe të ripërtërishme të energjisë, masa për efikasitet më të madh energjetik dhe zbatim i zgjidhjeve ekologjike.
 
ILMIE ZHAKU