Botë

Zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, Gjukanoviq dhe Millatoviq në rreth të dytë

20.03.2023 14:38

Presidenti aktual i Malit të Zi dhe kandidati i DPS-së, Milo Gjukanoviq, si dhe rivali i tij, Jakov Millatoviq..

Presidenti aktual i Malit të Zi dhe kandidati i DPS-së, Milo Gjukanoviq, si dhe rivali i tij, Jakov Millatoviq, kandidat i lëvizjes "Evropa tani", kanë fituar më së shumti vota në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi që u mbajtën të dielën. Ata do të përballen në raundin e dytë më 2 prill, kur edhe do të zgjidhet presidenti i Malit të Zi. Gjukanoviq fitoi 35.3 për qind të votave, ndërsa Millatoviq 28.9 për qind.
 
“Dua të ndaj kënaqësinë time për faktin se Mali i Zi konfirmoi edhe një herë kapacitetin e tij shumë të mirë demokratik. Siç e paralajmëruam gjatë fushatës, zgjedhjet u zhvilluan në një atmosferë absolutisht paqësore, në të cilën njerëzit kishin mundësi të shprehnin lirshëm vullnetin e tyre. Unë kam paralajmëruar fitoren, prandaj pres fitore.”, - deklaroi kandidati për president të Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.
 
"Unë premtova se do t'ia dilnim dhe ia dolëm. Kjo është një fitore për ata që kanë mbajtur pishtarin e lirisë në Mal të Zi në 30 vitet e fundit dhe i falënderoj për këtë. Kjo është një fitore e përbashkët për ata që u diskriminuan në 30 vitet e kaluara, fëmijët e të cilëve u larguan nga Mali i Zi të uritur për bukë, që nuk kishin drejtësi, që ishin të varfër.”, - theksoi  kandidati për president të Malit të Zi, Jakov Millatoviq. 
 
Andrija Mandiq nga Fronti Demokratik është radhitur i treti me 19 për qind dhe 11.3 për qind e qytetarëve të Malit të Zi votuan për Aleksa Beçiq nga Mali i Zi Demokratik. Ndryshe qytetarët e Malit të Zi do të votojnë edhe për parlamentin e ri më 11 qershor, prandaj zgjedhjet presidenciale po shërbejnë edhe si një barometër për rejtingun e partive politike. 
 
SANIJE DURAKU