Maqedoni
Kodi zgjedhor, aktualizohen përpjekjet për reforma në KZ
20.03.2023 15:07
Një vit para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe atyre parlamentare...

Një vit para zgjedhjeve të ardhshme presidenciale dhe atyre parlamentare, sërish aktualizohet tema për reforma zgjedhore dhe një kod të ri zgjedhor. Me ardhjen e tij në krye të digasterit të drejtësisë, Krenar Lloga, tha se ka për synim hartimin e Kodit zgjedhor përpara zgjedhjeve të radhës teksa ftoi edhe të gjitha partitë politike me theks VMRO-DPMNE-në opozitare që të japin kontributin e tyre në grupin punues që me konsensus të hartojnë Kodin Zgjedhor dhe të vendosin rregullat zgjedhore. Nga VMRO-DPMNE thonë se nuk ka ndryshim në qëndrimin e tyre lidhur me konceptin për një njësi zgjedhore.
“Për momentin po i qëndrojmë asaj që kemi thënë deri më tani, por konkretisht do të njoftoheni me kohë për të gjitha ndryshimet, pra për të gjitha pikëpamjet që kemi për këtë zgjidhje ligjore.”, - deklaroi Dejanço Eftimov nga VMRO.
Nga LSDM thonë se mbështesin konceptin e një njësie zgjedhore.
“Qofshin parti parlamentare apo joparlamentare, parti të mëdha apo të vogla me një zgjidhje konsensuale ta zgjedhim kodin zgjedhor më të mirë, i cili do t'i bëjë rregullat e lojës për kërkimin e votës plus dhe pjesëmarrjen në kuvend apo në nivel vendor të jetë i barabartë për të gjithë. Në vitin 2016, LSDM-ja në programin e saj zgjedhor ishte subjekti i parë politik që qartazi qëndroi për konceptin e një njësie zgjedhore, me të cilin mendojmë se nëse përfshihen të gjitha subjektet politike do të gjejmë zgjidhje konsensuale.”, - theksoi Martin Kostovski nga LSDM.
Për momentin nuk ka informacione se kur do të mbahet mbledhja e radhës për reformat zgjedhore. Kohë më parë BDI kishte deklaruar se qëndrimi i saj është që të mbeten 6 njësi zgjedhore, derisa ASh kishte preferuar tetë njësi zgjedhore.
NAIM RAMADANI
