Maqedoni
Gjyqësia, hallka më e dobët e korrupsionit, Grkovska: Pres hap serioz në sferën e gjyqësisë
20.03.2023 15:51
Hallka më e dobët në ballafaqim me korrupsionin është sistemi gjyqësor....

Hallka më e dobët në ballafaqim me korrupsionin është sistemi gjyqësor. Kështu vlerëson zëvendëskryeministrja për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, e cila e pyetur për të komentuar mesazhet e nënkryetarit të KE-së, Zhosep Borell dhe eurokomesarit për zgjerim, Varhei vlerëson se vendi duhet të fokusohet për t’u përballur me korrupsionin dhe për avancimin e eurointegrimeve.
“Shpresoj që më në fund të gjitha mesazhet që marrim nga faktori ndërkombëtar, por edhe nga të gjithë qytetarët në vendin tonë do të ndikojnë në sistemin e drejtësisë dhe të shohim një ndryshim drastik në qëndrim dhe në mënyra se si sistemi i drejtësisë e trajton luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, sepse atë që qytetarët duan ta shohin është drejtësia dhe që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Rolin më të madh në këtë kuptim e ka gjyqësori dhe pres një hap serioz përpara në këtë drejtim.”, - theksoi zëvendëskryeministrja për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska.
Grkovska, po ashtu paralajmëroi ministrat e BDI-së që të mos shfrytëzohen veturat zyrtare për qëllime partiake.
Kovaçevski për antikorrupsionin ka përkrahjen e qeverisë për të punuar
Edhe kryeministri Kovaçevski thotë se antikorrupsionerët dhe zëvendëskryeministrja Grkovska kanë përkrahjen e qeverisë për çdo rast, ku ka fakte dhe argumente valide për keqpërdorime të funksioneve.
“Për të gjitha rastet ku ka akuza të caktuara, për ndonjë vërejtje sa i përket punës, të gjitha këto pa ndonjë pengesë janë procesuar nga antikorrupsoni, por edhe institucioneve iu është dhënë mundësi të prononcohen për situatat që kanë ndodhur.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë, diplomatët amerikan dhe evropian në mënyrë të hapur bëjnë të ditur se vendi ynë stagnon në luftën kundër korrupsionit pas skandaleve të fundit korruptive dhe se për avancimin janë të nevojshme masa të fuqishme për parandalim të këtyre dukurive.
FLUTURA LATIFI
