Maqedoni
Shënohet 78 vjetori i Kryqit të Kuq të RMV-së
20.03.2023 16:57
Në manifestimin me rastin e 78 vjetorit të ekzistencës së Kryqit të Kuq të RMV-së...

Në manifestimin me rastin e 78 vjetorit të ekzistencës së Kryqit të Kuq të RMV-së, kryeministri Dimitar Kovacevski u ndal te solidariteti i qytetarëve të vendit me popullatën e Turqisë dhe Sirisë. Ai potencoi se janë grumbulluar më shumë se 960 mijë euro dhe synohet të arrijë një milion euro për të ndihmuar viktimat, por edhe dërgimin e ekipeve dhe llojeve të tjera të ndihmës.
“Qeveria ndau rreth 100.000 euro, ndihma për viktimat e tërmetit katastrofik në Turqi, ku disa institucione ishin të ngarkuara për dërgimin e ekipeve me pajisje të përshtatshme dhe lloje të tjera të ndihmës për të përballuar pasojat.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
“Të bashkuar në një zemër, institucionet publike, sektori joqeveritar, komuniteti i biznesit, institucionet arsimore, të rinjtë dhe të rriturit, të gjithë ndihmuan viktimat e rajoneve të prekura. Ne nuk mund t'i kthejmë jetët e humbura, por do të punojmë me të gjitha forcat për të shëruar plagët e kësaj fatkeqësie natyrore. Ne do të rindërtojmë qytetet dhe shkollat e shkatërruara.”, - deklaroi ambasadori i Turqisë në vend, Hasan Mehmet Sekizkok.
“Ne duhet të vazhdojmë të përmirësohemi për t'u përshtatur me një botë që ndryshon vazhdimisht dhe me shpejtësi. Sot, pa dyshim, puna e Kryqit të Kuq është më aktuale dhe më e nevojshme se kurrë, sepse bota sot i ngjan një anijeje që lundron në një det të trazuar me shumë pabarazi, përshkallëzime, frikësime dhe luftëra, fatkeqësi natyrore, emigracion njerëzish. si rezultat i kushteve ekonomike, politike, sociale dhe klimatike.”, - theksoi sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq, Sait Saiti.
Sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq theksoi se kjo është ndihmë fillestare humanitare, duke shprehur shpresën se në periudhën e ardhshme do të ofrohen ndihma shtesë. Në këtë manifestim u dhuruan edhe mjete nga kompania “Alma M” me vlerë prej 61.000.000 denarësh.
SEDAT SELIMI
