Botë

Moskë, Putin priti presidentin kinez Xi Jinping

20.03.2023 18:25

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka vizituar Moskën, ku është pritur nga presidneti rus, Vlladimir Putin...

Presidenti kinez pritet të shtyjë përpara idenë që Pekini të bëhet një paqebërës potencial në konfliktin në Ukrainë, ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, shpreson të marrë mbështetjen kineze kundër presionit perëndimor.
 
Xi është lideri i parë i huaj që takon Putinin, pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhërarrestim ndaj tij të premten lidhur me dëbimin e fëmijëve ukrainas për në Rusi, pas nisjes së pushtimit të Ukrainës.
 
Rusia po e paraqet vizitën e Xi-së, si dëshmi se ka një mik të fuqishëm që është i gatshëm të qëndrojë kundër një Perëndimi armiqësor, të cilin e akuzon se po përpiqet që ta izolojë dhe mposhtë Moskën.
 
“Ne mund të ndjemë se peizazhi gjeopolitik në botën e jashtme po pëson ndryshime drastike”, tha Putin në një artikull të publikuar në gazetën kineze, “People’s Daily”.
 
Ky artikull u publikua edhe në ueb-faqen e Kremlinit. Aty, Putin shtoi se kishte shpresa të mëdha për vizitën e “mikut të mirë e të vjetër”.
 
Muajin e kaluar, Kina e ka prezantuar një plan të paqes për luftën në Ukrainë, në të cilin përmendet armëpushimi dhe bisedimet mes palëve.