Botë
Kosovë, Lista serbe refuzon të marrë pjesë në zgjedhje
20.03.2023 18:47
Krerët e Listës Serbe i kanë thënë ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier...

Krerët e Listës Serbe i kanë thënë ambasadorit amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat veriore të Kosovës më 23 prill.
Përmes një komunikate për media, Lista Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka thënë se do ta mbajë këtë qëndrim derisa të plotësohen dy kushte: formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqja e të gjitha njësiteve speciale nga veriu i Kosovës.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka caktuar 22 marsin si afatin e fundit të aplikimit për pjesëmarrje në këto zgjedhje. Sipas KQZ-së, deri më tani janë të certifikuar 11 kandidatë për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor.
Të 11-it janë të certifikuar nga afati paraprak, i dhjetorit të vitit të kaluar, kur ishte planifikuar të mbaheshin zgjedhjet, pasi në afatin e ri, të hapur në mars, nuk është dorëzuar asnjë aplikim shtesë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale do të organizohen në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, pas dorëheqjeve të kryetarëve të tyre, në nëntor të vitit të kaluar. Këto zgjedhje do të mbahen më 23 prill, pas shtyrjes së tyre më 18 dhjetor të vitit të kaluar, me kërkesë të bashkësisë ndërkombëtare.
