Botë
Mustafa dhe Vuçiq nënshkruan marrëveshjen për drejtësi
10.02.2015 13:00
Takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka përfunduar me nënshkrimin e marrëveshjes për drejtësi...

Kjo, sipas ndërmjetësueses Federica Mogherini, është arritur rreth orës 2 pas mesnate.
“Sapo nënshkruam marrëveshjen për drejtësinë, një rezultat i mrekullueshëm në rifillimin e dialogut Beograd–Prishtinë. Faleminderit të dyja palëve”- ka shkruar ajo në rrjetin social “Twitter”.
Pas takimit, kryeministri Mustafa ka thënë se marrëveshja mundëson funksionimin e sistemit unik të drejtësisë në Kosovë.
I pyetur nëse janë diskutuar tema të tjera në dialog, Mustafa ka thënë se nuk ka pasur kohë për të tilla.
Ai ka thënë se nuk do të hapen tema të reja pa u shuar institucionet paralele në veri, me theks të veçantë Mbrojtja Civile.
Ndërkohë, kryeministri serb Vuçiq ka thënë se me arritjen e marrëveshjes fiton Serbia dhe serbët e veriut, të cilët nuk do të mund të mbipërfaqësohen, pasi që Gjykata e Mitrovicës do të ketë 9 prokurorë shqiptarë e 9 serbë.
Përfaqësuesja e BE-së, Mogherini, në anën tjetër ka bërë me dije se dy kryeministrat, madje, do të punojnë bashkë edhe rreth çështjes së migrimit ilegal të kosovarëve.
