Botë

Francezët djegin vendin pasi qeveria i mbijetoi shkarkimit, rriti moshën e pensionit

21.03.2023 09:47

Qeveria shpëtoi, por jo qytetet në Francë. Mijëra njerëz protestuan dhunshëm në Paris kundër reformës...

Qeveria shpëtoi, por jo qytetet në Francë. Mijëra njerëz protestuan dhunshëm në Paris kundër reformës së presidentit Emmanuel Macron në pensione për rritjen e moshës nga 62 në 64 vjeç.
 
Tashmë ky ndryshim u shndërrua në ligj, falë edhe mbijetesës së qeverisë ndaj dy mocioneve të mosbesimit nga opozita. Nëse kryeministrja dhe kabineti i saj do të shkarkohej në Asamblenë Kombëtare, Macron do të duhej të emëronte një qeveri të re ose të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
Votimi erdhi pasi shefja e qeverisë, Elisabeth Borne, përdori një fuqi speciale kushtetuese, të quajtur artikulli 49:3, për të miratuar reformën në pensione pa votim në Asamblenë Kombëtare javën e kaluar.
 
Pasi mocionet e mosbesimit dështuan, deputetët e së majtës paraqitën disa pankarta në sallë, në të cilat shkruhej: “beteja vazhdon” dhe “do të takohemi në rrugë” dhe përsëritën thirrjet ndaj kryeministres për të dhënë dorëheqjen. Në rrugët e Parisit, revolta popullore ishte dhe më e ndezur, me protestues të shumtë që i vunë flakën objekteve të ndryshme dhe u përleshën me policinë. Forcat e rendit ndërhynë duke arrestuar 101 persona.