Departamenti amerikan i shtetit, korrupsioni shqetësim kryesor në RMV
Autoritetet në Maqedoni po marrin masa për të përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut...

Autoritetet në Maqedoni po marrin masa për të përmirësuar situatën e të drejtave të njeriut, por ende ka raporte të besueshme për trajtim çnjerëzor dhe poshtërues dhe mbipopullim në reparte të caktuara të burgjeve, dhunë dhe kërcënime me dhunë ndaj gazetarëve, korrupsion serioz qeveritar, mungesë përgjegjësie për dhunën gjinore dhe familjare, dhunë dhe kërcënim me dhunë ndaj popullatës LGBT, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të shtetit për të drejtat e njeriut për vitin 2022.
Qeveria, sipas raportit, ka ndërmarrë hapa për të identifikuar, hetuar, ndjekur penalisht dhe ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer abuzime ose kanë marrë pjesë në korrupsion dhe veprime të tjera të paligjshme. Kushtetuta dhe ligjet ndalojnë torturën, trajtimin çnjerëzor dhe degradues, por ka pasur raportime për abuzimin e policisë me të arrestuar dhe të burgosurit dhe përdorimin e forcës së tepruar. Qeveria mori masa për hetimin e këtyre rasteve dhe ndjekjen penale të autorëve. Njësia e Standardeve Profesionale në Ministrinë e Punëve të Brendshme raportoi se në shtatë muajt e parë të vitit të kaluar ka proceduar 30 ankesa për përdorim të forcës së tepruar nga punonjësit e policisë.
