Botë
Ukrainë, Rusia intensifikon ofensivën në Donjeck
21.03.2023 12:36
Rusia ka intensifikuar ofensivën në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut në 24 orët e fundit, tha ushtria ukrainase....

Rusia ka intensifikuar ofensivën në rajonin lindor ukrainas të Donjeckut në 24 orët e fundit, tha ushtria ukrainase.
Mbrojtësit ukrainas kanë zmbrapsur 120 sulme, të përqendruara kryesisht në Bakhmud. Ky qytet është pika qendrore e luftimeve për muaj të tërë dhe luftimet kanë shkaktuar humbje të mëdha në të dyja palët, tha Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase në raportimin ditor, duke shtuar se rusët, po ashtu kanë tentuar që të përparojnë në drejtim të Avdijivkës, Limanit, Marijnikës dhe Shahtarskut. Forcat ruse kanë granatuar civilët dhe infrastrukturën në 11 vendbanime përgjatë linjës së kontaktit, tha ushtria ukrainase. Forcat ukrainase po ashtu kanë zmbrapsur sulme ruse në Kupiansk, në rajonin verior të Harkivit, tha Shtabi i Përgjithshëm.
Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës ka thënë se nga një shpërthim në qytetin Dzhankoi të Krimesë janë shkatërruar raketat ruse të destinuara për përdorim nga flota ruse e Detit të Zi. Pamjet treguan një shpërthim të fuqishëm që pasoi një shtëllungë tymi në qiell. Këto njoftime vijnë teksa kryeministri i Japonisë është nisur drejt Kievit për të treguar mbështetjen e tij për Ukrainën që po përballet me pushtimin e paprovokuar rus. Vizita e Kishidës në Kiev vjen në kohën kur presidenti rus, Vladimir Putin, po zhvillon takime në Moskë me homologun e tij kinez, Xi Jinping. Por, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, tha se vizita e presidentit kinez Xi Jinping në Moskë dhe takimi me presidentin Vladimir Putin tregoi synimin e Kinës për të siguruar “mbulim diplomatik” për “mizoritë e Rusisë të kryera në Ukrainë” në vend që t’i dënojë ato.
