Botë

Kurti: Serbia nuk po e respekton marrëveshjen e Ohrit

21.03.2023 13:00

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plani i zbatimit të marrëveshjes...

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se plani i zbatimit të marrëveshjes do të duhej të niste që nga dita e hënë, por që kjo sipas tij nuk është bërë për fajin e Serbisë. Prandaj, Kurti ka kërkuar nga ndërkombëtarët që të marrin masa.
 
“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të fillonte qysh dje, për shkak se edhe plani i zbatimit thotë se ka një afat se kur duhet të fillojë marrëveshja së zbatuari. Edhe marrëveshja bazë edhe plani i zbatimit tashmë i kemi të dakorduara. Për neve kjo është marrëveshje, por unë pres nga faktori ndërkombëtar që ta dënojnë e gjykojnë sjelljen e Serbisë, e cila kur mbahen takimet thotë se nuk nënshkruaj e ndërmjet takimeve thotë se nuk zbatoj gjë. Nuk mund të flasë kështu pala tjetër kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare përfshi Kombet e Bashkuara, nuk mund të flas se kurrë nuk do ta njoh Kosovën pasi marrëveshja është njohje defakto.”, - deklaroi kryeministri i RKS-së, Albin Kurti.
 
Ai tha se topi tani është te Serbia, ndërsa Kosova do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me ndërmjetësuesit evropian dhe partnerët amerikan.
 
“Me ndërmjetësuesit evropianë do të jemi në kontakt të vazhdueshëm, me partnerët tanë amerikanë, të cilët i falënderojmë gjithashtu jemi në komunikim të vazhdueshëm, dhe do të duhej që atë formulimin për vetëmenaxhimin e komunitetit serb të adresojmë çështjet që na paskan ngelur pa u mbushur dhe për ne bëhet fjalë për një formulim, i cili i përket në mënyrë shumë besnike dhe të saktë konventës kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare sipas Këshillit të Evropës.”, - theksoi kryeministri i RKS-së, Albin Kurti.
 
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se vendi i tij është i gatshëm ta zbatojë marrëveshjen e arritur me Kosovën në Ohër, por deri te vijat e kuqe. Sipas tij vijat e kuqe me të cilat nuk pajtohen përfshijnë njohjen reciproke dhe as anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Por, zyrtarët e BE-së përfshi ndërmjetësin Borrell dhe zyrtarët amerikan, e kanë përshëndetur marrëveshjen e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë dhe kanë thënë se do ta monitorojnë implementimin e saj si nga Serbia ashtu edhe nga ana e Kosovës. Implementimi i marrëveshjes do të jetë edhe pjesë e agjendës evropiane për dy vendet, ka thënë përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borell. 
 
GYLTENE SINANI