Maqedoni

Reformat zgjedhore, partitë politike kundër 6 njësive zgjedhore

21.03.2023 15:16

Pas takimit të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, me drejtorin e lartë të NDI në vendin tonë...

Pas takimit të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, me drejtorin e lartë të NDI në vendin tonë, Robert Scott Hazlett, ku është biseduar për procesin e reformës zgjedhore dhe përmirësimin dhe demokratizimin e procesit zgjedhor në vend, partitë politike qofshin ato maqedonase apo shqiptare, i kanë mirëpritur këto ndryshime. Nga ASh kanë pohuar se RMV duhet të jetë e ndarë në 8 njësi zgjedhore, Nisma e ministrit Lloga është në vazhdën e rekomandimeve të faktorit ndërkombëtarë.
 
“Qëndrimi i ASh ka qenë kundër 6 njësive zgjedhore, për shkak se me 6 njësi diskriminohet dukshëm vota shqiptare dhe ne kemi propozuar 8 njësi zgjedhore që është një propozim i bazuar në shkencë, e që Maqedonia në bazë të ekspertëve profesionistë ndahet në 8 njësi zhvillimore dhe konformë asaj kemi propozuar 8 njësi zgjedhore, me qëllim që mos të vijë në shprehje diskriminimi i votës.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe. 
 
Lëvizja “Besa” ka kërkuar që të mos diskriminohet asnjë etni, më e pranueshme do të ishte sikur RMV të ndahet në 3 njësi zgjedhore me listat e hapura, por edhe me një njësi zgjedhore nuk është ide e keqe.
 
“Ne si Lëvizja “Besa” vlerësojmë se vetëm tre njësi zgjedhore në ndërhyrjen e Kodit Zgjedhor dhe me listat e hapura do të ketë efektivitet maksimal të votës së votuesit në RMV, mirëpo këto lista të jenë me lista të hapura kuptohet. Me një njësi zgjedhore edhe ajo nuk është ide e keqe, mirëpo ne kemi arritur në përfundim se zgjedhja më e mirë do të ishte që të jenë 3 njësi zgjedhore, edhe atë duke i bashkuar njësitë zgjedhore 1 dhe 2, pastaj 3 dhe 4, dhe 5 dhe 6.”, - theksoi zëdhënësi i Lëvizjes “Besa”, Faruk Avdiu. 
 
Nga partia Alternativa janë të mendimit të RMV i duhet një njësi zgjedhore, por me prag zgjedhor. 
 
“Propozojmë që Maqedonia e Veriut të shndërrohet në një njësi zgjedhore, me prag zgjedhor prej 2 për qind dhe mundësi që në zgjedhjet, përmes votimit elektronik, edhe qytetarët tanë jo-resident ta shprehin vullnetin e tyre politik. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe listat e hapura, jemi të bindur se RMV do të jetë shembuj i jetës demokratike jo vetëm në Ballkan.”, - thanë nga Alternativa. 
 
Kemi provuar të marrim një prononcim edhe nga subjektet tjera partiake, por të njëjtat nuk gjetën kohë të prononcohen, por vetëm janë shprehur se janë PRO ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. 
 
FITIM KRYEZIU