Maqedoni
Qytetarët, çmimet e produkteve bazë janë ulur, por duhet edhe tjerat
21.03.2023 15:47
Edhe pse janë ulur çmimet e produkteve ushqimore bazë, çmimet tjera të nevojshme për jetesë janë ende të larta për standardin...

Edhe pse janë ulur çmimet e produkteve ushqimore bazë, çmimet tjera të nevojshme për jetesë janë ende të larta për standardin. Qytetarët ankohen se duhet të ulen me tepër çmimet, sepse nuk po vërejnë lehtësim në buxhetin familjar me ngrirjen e çmimeve kohëve të fundit. Shpresojnë se ditët në vijim do të ketë ndryshime më të mëdha.
Çmimet e disa produkteve ushqimore bazë janë ulur, por çmimet e pemëve dhe perimeve vazhdojnë të jenë të larta, ankohen qytetarët.
“Çfarë të të them për çmimet, janë të larta, disa janë reale, por në përgjithësi janë të shtrenjta.”. – tha një qytetar.
“Mirë janë çmimet, kanë filluar t’i lirojnë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
“Të larta janë çmimet, është problem me standardin se të larta janë çmimet. Vetëm që kanë thënë se i kanë zbritur çmimet, sepse janë të njëjta, shumë pak ka ulje, nuk vëren asgjë.”, - tha një qytetar.
“Prodhimet kanë qenë jashtëzakonisht të larta. Unë shoh pak dallimin, problem është që populli vuan, varfëri ka shumë.”, - u shpreh një qytetar tjetër.
Shitësit ankohen se në përgjithësi nuk kanë shitje të mjaftueshme, ndonëse disa produkte janë më lirë se vitin e kaluar. Ata thonë se gjatë dy ditëve të fundit fluksi i qytetarëve është rritur pak më tepër shkaku i muajit të shenjtë të Ramazanit.
“Çmimet në krahasim me vitin e kaluar janë pak më lirë, trangujt kanë qenë 100-120 tani janë 80den, marullat 20 denarë, qepët e reja 10 denarë janë simbolike, vetëm pagat duhet të rriten që të jetojmë.”, - tha një shitës.
“Çmimet janë as të larta, as të ulëta, por normale. Domatet janë 100 denarë, sot kanë rënë 80 denarë, para dy-tre ditëshe 150, sallata ka rënë 80 denarë, lakra 30, çmimi i specave është rritur 180 den kilogrami.”, - tha një shitës tjetër.
“Shumë pak kanë zbritur çmimet, te kashkavalli nuk ka lëshime, momentalisht jemi në bisedime t’i lirojnë çmimet, por njëherë nuk ka lëshime, djathi 10 denarë është liruar.”, - u shpreh një shitës.
Nga 28 shkurti është ngrirë çmimi i bukës, ndërsa prej para disa ditëve janë ngrirë çmimet e pastave dhe produkteve të qumështit. Këtë vit buxheti aktual për konsum minimal është 43.163 denarë dhe për t’u mbuluar shporta minimale nevojiten 2,1 paga minimale, e cila për këtë muaj është 20.175 denarë.
VLORA LATIFI TOPOJANI
