Maqedoni
Ndryshimet kushtetuese, pushteti dhe opozita me qëndrime të ndara
21.03.2023 16:08
Pushteti dhe opozita mbeten me qëndrime të ndara rreth ndryshimeve kushtetuese....

Pushteti dhe opozita mbeten me qëndrime të ndara rreth ndryshimeve kushtetuese. VMRO-DPMNE është e bindur se ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve nuk do të ndodhin në këtë përbërje parlamentare. Marija Miteva nga kjo parti tha se nuk do të marrin pjesë në grupet e punës për formulimin e amendamenteve nga ministria e drejtësisë teksa konsiderojnë se bëhet fjalë për proces që nuk ka mbështetjen e qytetarëve.
“Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është i qartë. Nuk do të marrë pjesë në grupe të tilla pune, sepse ky është një proces jolegjitim dhe shumë herë i kemi thënë dhe apeluar qeverisë që të mos përfshihet në procese të tilla ku absolutisht nuk ka mbështetje nga qytetarët. VMRO-DPMNE nuk do të marrë pjesë në grupet punuese dhe ndryshimet kushtetuese nuk do të bëhen në këtë përbërje parlamentare me urdhër të Bullgarisë.”, - deklaroi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
Por, kryeministri, Dmitar Kovaçevski, ftoi të gjitha subjektet politike që të mbështesin rrugën evropiane të vendit jo vetëm në mënyrë verbale, por me vepra konkrete.
“Besoj se kemi kapacitete demokratike dhe politike për të marrë të gjitha vendimet e nevojshme, sepse ky nuk është vendim i fundit, por i pari i një sërë vendimesh me 2/3 në kuvend që duhet të merren deri në anëtarësimin e plotë të vendit tonë në BE. Të flasësh në një mënyrë para ambasadave dhe një tjetër para popullit nuk i bën dobi askujt. Deklarimet se dikush mund të ndryshojë kornizën e negociatave, më së miri e mohoi nënkryetari i KE-së. Ne negociojmë me BE-në, nuk negociojmë me asnjë vend fqinj.”, - theksoi kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski.
Ndërkohë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, nga Brukseli deklaroi se pret që amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës të hyjnë në procedurë në Kuvend para verës. Sipas tij, në javët në vijim Ministria e Drejtësisë do të hapë procesin dhe brenda pak javësh do të formulohen amendamentet kushtetuese.
NAIM RAMADANI
