Maqedoni
Shaqiri për kërkesën e maturantëve: Do të pranohen kërkesat që kanë bazë ligjore
21.03.2023 16:26
Kërkesat që kanë bazë ligjore për shkurtimin e materialit të maturës do të pranohen...

Kërkesat që kanë bazë ligjore për shkurtimin e materialit të maturës do të pranohen, bën të ditur ministri i arsimit, Jeton Shaqiri. Ai beson se do të arrijë marrëveshje me gjimnazistët, të cilët protestuan javën e kaluar duke kërkuar shkurtimin e materialit për maturën shtetërore apo të heqjes së një provimi intern. Shaqiri tha se ka pasur takime për këtë temë dhe se deri në fund të javës do të dihet nëse do të shkurtohet materiali i maturës, që është edhe synimi i studentëve.
“Në fund të javës ose në fillim të javës tjetër do të kemi një përgjigje konkrete, gjithçka që është e ligjshme dhe që mund të pranohet - do të pranohet. Çdo gjë tjetër që nuk mund të pranohet, që ka nevojë për ndryshime ligjore, nuk mund ta konsiderojmë në këtë periudhë. Ne do të pranojmë të gjitha kërkesat që mund të shqyrtohen.”, - deklaroi ministri i arsimit dhe shkencës, Jeton Shaqiri.
Shaqiri ka pasur një takim edhe me kryetarë dhe përfaqësues të unioneve studentore nga universitetet për të diskutuar kërkesat e tyre. Ata diskutuan barazimin e shumave të bursave të së njëjtës kategori me një aneks të marrëveshjeve.
“Lajmi pozitiv është se nga ky vit kemi siguruar mjete buxhetore për të gjithë studentët që marrin bursë në të njëjtën kategori me aneks për të harmonizuar dallimet në vlera.”, tha Shaqiri dhe shtoi se janë pajtuar që të shqyrtohen të gjitha mundësitë ligjore për vitin paraprak, nëse është e mundur me aneksin në mënyrë retroaktive të ndërhyhet.
Lidhur me ushqimin e subvencionuar të studentëve, ministri tha se kjo e drejtë ka filluar të zgjidhet sistematikisht dhe se këtë muaj pagesa do të jetë më e shpejtë se muajt e kaluar. I pyetur nëse edhe këtë vit do të vonohet marrja e dëftesave, ai ka theksuar se institucioni kompetent është Byroja për Zhvillimin e Arsimit, por se tashmë ka filluar një procedurë për një operator ekonomik dhe shpreson që ajo të përfundojë në kohë.
SANIJE DURAKU
