Botë
Presidenti kinez: Prioritet, forcimin e marrëdhënieve me Moskën!
21.03.2023 17:04
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka mbërritur në Kremlin për raundin e dytë të bisedimeve zyrtare...

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka mbërritur në Kremlin për raundin e dytë të bisedimeve zyrtare me homologun e tij rus, Vladimir Putin. Dyshja u panë duke shtrënguar duart dhe duke qëndruar krah për krah gjatë himneve kombëtare përpara fillimit të bisedimeve. Bisedimet janë fokusuar në krizën e Ukrainës dhe thellimin e bashkëpunimit ekonomik.
“Në kohën e vizitës sime, kësaj radhe presidenti Putin dhe unë do përpiqemi që t’i zhvillojmë edhe më tej marrëdhëniet dypalëshe. Në të ardhmen do të ndërrojmë planet e përbashkëta në fushën ekonomike dhe në shumë lëmi të tjera.”, - deklaroi presidenti i Kinës, Xi Jinping.
Pas këtij takimi ka reaguar zëdhënësi i shtëpisë së bardhë në ShBA, John Kirby. Ai ka kërkuar nga presidenti kinez, Xi Jinping, që t’i bëjë presion Vladimir Putinit që të “ndalojë krimet e luftës” në Ukrainë.
“Ne shpresojmë që presidenti Xi t`i bëjë presion presidentit Putin që të ndalojë bombardimin e qyteteve, spitaleve dhe shkollave të Ukrainës, të ndalojë krimet e luftës dhe mizoritë e tjera dhe të tërheqë trupat e tij. Por, ne jemi të shqetësuar se në vend të kësaj, Kina do të përsërisë thirrjet për një armëpushim, çka i lë forcat ruse brenda territorit sovran të Ukrainës. Një pushimzjarri nuk e zgjidh largimin e tyre nga Ukraina, e do të ratifikonte në mënyrë efektive pushtimet e paligjshme të Moskës atje.”, - theksoi zëdhënësi i Këshillit të sigurisë kombëtare në ShBA, John Kirby.
ShBA thirrje Kinës: Bëni presion Putinit të ndalojë luftën
Ndërkohë, që Moska dhe Pekini forcojnë marrëdhëniet, kryeministri i Japonisë, Fumio Kishida, nga ana tjetër ka mbërritur për një vizitë të befasishme në Kiev për bisedime me presidentin, Volodymyr Zelensky.
Rrugëtimi i tij dhe përcjellja e solidaritet dhe mbështetjes për Ukrainë, shihet si një kundërpeshë e qartë ndaj vizitës së Xi-së në Moskë, pasi Japonia dhe Kina e shohin njëra-tjetrën si rivalë rajonalë. Kishida është parë duke zbritur nga treni në një stacion në Kiev.
Ndërkohë në terren luftimet për marrjen e kontrollit mbi qytetin Bakhmud nuk kanë të ndaluar. Edhe qyteti Avdivka mund të pësojë të njëjtin fat si Bakhmudi, sepse ky qytet është nën shënjestrën e Rusisë. Zelensky njoftoi për ndihmën e re ushtarake nga ShBA-ja.
“Një paketë e re e mbrojtjes nga Shtetet e Bashkuara u njoftua gjithashtu sot. Shuma është 350 milionë dollarë. Këto janë raketa për HIMARS, predha artilerie dhe municione të tjera, gjithçka që na nevojitet vërtet për të mbështetur luftëtarët tanë.”, - u shpreh presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenski.
OKB njoftoi se të paktën 8.317 civilë janë vrarë dhe 13.892 janë plagosur në të gjithë Ukrainën që nga fillimi i pushtimit rus të vendit.
FARIJE DAUTI BAKIJU
