Maqedoni

Raporti i departamentit amerikan, RMV kritikohet për korrupsion dhe diskriminim

21.03.2023 17:22

Korrupsion serioz qeveritar, dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve, trajtim johuman në burgje...

Korrupsion serioz qeveritar, dhunë dhe kërcënime ndaj gazetarëve, trajtim johuman në burgje, mungesë e përgjegjësisë për dhunë gjinore dhe familjare, si dhe ndaj komunitetit LGBT, janë disa nga vërejtjet e theksuara në raportin e departamentit amerikan për të drejtat e njeriut në Maqedoninë e Veriut.
 
Departamenti i shtetit ka theksuar se deri më 15 gusht, komisioni antikorrupsion ka pranuar 357 ankesa, duke kërkuar përndjekje penale për 10 funksionarë në mesin e të cilëve pesë kryetarë komunash.
 
“Qeveria mbetet punëdhënësi më i madh në vend, ndërkaq sektori civil vëri në dukje se orli dominues i qeverisë në ekonomi krijon mundësi korrupsioni. Anketat publike në vazhdimësi theksojnë korrupsionin si një ndër brengat kryesore të qytetarëve.”, thuhet në raport.
 
Korrupsioni sipas ankesave të qytetarëve theksohet të ketë vërshuar furnizimet publike, kadastrën, gjyqësorin dhe sistemin shëndetësor. Kritika drejtohen edhe ndaj qeverisë për mos respektim të pavarësisë së gjyqësorit, duke bërë që vetëm 4%  e qytetarëve të besojnë gjyqësorin.
 
“Besimi tejet i ulët i qytetarëve në gjyqësor ka të bëjë me gjyqësorin e korruptuar. Gjykatësit me qëllim zvarrisin proceset gjyqësore që lëndët të vjetrohen, sidomos rastet e korrupsionit të lartë ku janë të përfshirë biznesmenë dhe politikanë, gjykatës të cilët konsiderohen se bashkëpunojnë me avokatët mbrojtës.”, theksohet në analizën e departamentit amerikan.
 
Gjithashtu notifikohet edhe vonesat e pajustifikuara në aplikimet për shtetësi të rreth 7 mijë qytetarëve shqiptarë.
 
“Partitë opozitare shqiptare kritikuan përparimin e ngadaltë në zbatimin e Ligjit për Shtetësinë. Ata pretenduan se Ministria e Brendshme vonoi shqyrtimin e kërkesave për shtetësi përtej afatit të përcaktuar ligjor prej gjashtë muajsh dhe u kërkoi aplikantëve të dorëzonin dokumente shtesë që nuk kërkohen me ligj.”, thuhet në raport.
 
Sa i takon të drejtave të gazetarëve, departamenti amerikan thekson akuzat e ShGM-së në drejtim të qeverisë se nuk ka sanksionuar shkeljet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Kritika tjetër ndaj qeverisë ka të bëjë me mosrespektimin gjithmonë të së drejtës së grevës së punëtorëve dhe dakordimit kolektiv.
 
Raporti amerikan rëndësi i ka vënë edhe respektimin e lirive të njeriut, pjesëmarrjes në procesin politik, diskriminim dhe keqpërdorimeve sociale.
 
MERAL ISMAILI