Maqedoni

Dita e Sindromës Down, Struga me aktivitet për ngritjen e vetëdijes

21.03.2023 17:58

Në ditën ndërkombëtare të Sindromës Down, shoqata për kujdesin e personave me aftësi...

Në ditën ndërkombëtare të Sindromës Down, shoqata për kujdesin e personave me aftësi të veçanta “KFDK”, së bashku me qendrën “Ortus” në Strugë duke iu bashkangjitur motos ndërkombëtare “Me ne, jo për ne” organizoi një aktivitet special me muzikë dhe lojëra me personat me sindromë down si dhe një minipanair me punime dore, të cilës iu bashkëngjitën edhe shumë qytetarë. 
 
Qëllim i këtij eventi është rritja e vetëdijes tek popullata për të drejtat e personave me aftësi të veçanta, për t’i pranuar në shoqëri dhe për të pasur mundësitë dhe lirinë e barabartë. 
 
“Këto persona falë Komunës së Strugës këtë vit kanë një kënd ku mund t’i realizojnë aktivitete, një vend i ngrohët ku mund të shoqërohen, t’i zhvillojnë aftësitë e tyre dhe pikërisht punimet që shihni te tavolinat janë punë e tyre, janë përgatit për 3 javë për këtë ditë dhe besojmë që ne të japim mesazh dhe të ngremë vetëdijen që inkluzioni duhet të fillojë.”, - u shpreh Edi Kela nga Organizata për kujdesin e personave me nevoja të veçanta “KFDK”.
 
“Shpresoj që në Strugë të kthehet një traditë dhe të ketë më shumë mbështetje se sa sot. Nga popullata përkrahen, por mirë do ishte të ketë edhe më shumë përkrahje institucionale, shtetërore që të kenë mundësi të integrohen në mënyrë më të mirë dhe të jenë sa më të pavarur.”, - theksoi Arbresha Korça nga shoqata “Ortus”.
 
Në aktivitet ishin edhe prindër të cilët për kamerën tonë u shprehën se aktivitete të tilla ndikojnë mjaft mirë tek personat me aftësi të veçanta. Aktiviteti gjithashtu u mbështet edhe nga komuna e Strugës. 
 
“Ne si prindër e kemi pak të vështirë, por jemi të kënaqur, është dhuratë nga Zoti edhe nga shoqëria edhe nga shkolla është mirë, kanë aktivitete, aq sa kanë mundësitë e veta.”, - u shpreh një prind.
 
“Komuna e Strugës në vazhdimësi punon në lidhje me përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të jenë pjesë e pandashme e shoqërisë. Duhet t’u jepet mundësi dhe do të jetë një botë e mrekullueshme për të gjithë.”, - deklaroi kryetarja e këshillit të komunës, Arbëresha Vlashi.
 
Ndërgjegjësimi ende i ultë dhe paragjykimet nga shoqëria janë sfidat kryesore me të cilët përballen personat me Sindromë Down. Shteti duhet të punojë për integrimin e tyre, arsimimin e rregullt, sportin, si dhe punësimin e tyre për të mbajtur veten dhe për të jetuar të pavarur. 
 
ILMIJE ZHAKU