Botë

Rama në një vizitë zyrtare në Athinë, optimist për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve

21.03.2023 18:52

Nga Athina, aty ku po qëndron prej dy ditësh në një vizitë zyrtare, kryeministri Edi Rama...

Nga Athina, aty ku po qëndron prej dy ditësh në një vizitë zyrtare, kryeministri Edi Rama u shpreh optimist për adresimin e çështjeve që prekin dy vendet, gjatë takimeve me presidenten greke.
 
“Marrëdhënia e njerëzve të zakonshëm është e shkëlqyer, kjo na ka ndihmuar që ta shihnim njëri tjetrin me sytë e njerëzve të zakonshëm. Jam shumë optimist se pikërisht në këtë klimë do të zgjidhim më së miri të gjitha çështjet e lëna pezull mes dy vendeve. Edhe dakortësia për t’ju drejtuar një pale të tretë për zgjidhjen e detit tregon se jemi në rrugën e duhur për t’i dhënë zgjidhje problemeve.”, - deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
 
Më herët, kryeministri Edi Rama u prit në takim nga kryetari i Parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas, mes të cilëve u fol për lidhjet mes dy popujve.
 
“Është kënaqësi e veçantë që jemi sot në Athinë, marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe në përmirësim të vazhdueshëm. Dëshira e dyanshme për t’i forcuar këto marrëdhënie çdo ditë, është shumë e madhe dhe baza e këtyre marrëdhënieve janë pa dyshim të dy popujt tanë dhe urat e forta mes nesh, janë qoftë qytetarët grekë që jetojnë në Shqipëri dhe qytetarët shqiptarë që jetojnë në Greqi.”,  - theksoi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
“Me të drejtë vendi juaj synon ecjen drejt integrimit evropian, me të drejtë vendi ynë mbështet rrugëtimin evropian të Shqipërisë. Me të drejtë të dyja vendet tona, duke pasur ura lidhëse minoritetin grek në Shqipëri dhe komunitetin shqiptar në Greqi, po ecin përpara.”, - u shpreh kryetari i Parlamentit grek, Konstantinos Tasoulas. 
 
Takimi me kryeministrin grek, Mitsotakis, u bë më herët gjatë prezantimit të ekspozitës së kryeministrit Rama në Athinë.
 
LULJETA NDOKA