Botë
Osmani, Serbia nuk po respekton marrëveshjen
22.03.2023 12:44
Autoritetet e Kosovës po ankohen se Serbia nuk po e respekton dakordimin në Ohër....

Autoritetet e Kosovës po ankohen se Serbia nuk po e respekton dakordimin në Ohër. Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova nuk do të heq dorë nga marrëveshja bazë dhe ka kërkuar që të gjitha nenet të respektohen edhe nga ana e Serbisë. Sipas Osmanit, pala serbe vazhdon të mos e respektojë asnjë marrëveshje që buron nga dialogu.
“Serbia akoma pa u mbushur 24 orë nga dakordimi në Ohër, siç ndodhi edhe në shkurt, po ndodh edhe në mars, pra tregoi atë që nga dialogu nuk kanë asnjë vlerë për të, as politike e as juridike. Rrjedhimisht e njoftoi bashkësinë ndërkombëtare që nuk do të zbatojë ato të cilat qartë dalin nga marrëveshja bazë dhe aneksi. Teksti i marrëveshjes bazë mbetet si i tillë dhe nuk ndryshohet, rrjedhimisht akoma neni 4 i asaj marrëveshjeje, i cili e obligon Serbinë që mos ta kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në asnjë organizatë, mbetet në fuqi.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Për mosrespektim të Marrëveshjes një ditë më parë u ankua edhe kryeministri Kurti, pasi presidenti serb Vuçiq dhe shefi i diplomacisë, Daçiq, deklaruan se Serbia nuk do të respektojë pjesë të marrëveshjes, sidomos anëtarësimi në OKB. Mbi dakordimin Kosovë-Serbi në Ohër, të enjten kryeministri Kurti do të raportojë në kuvend.
GYLTENE SINANI
