Show Biz

Tuna, fituese e “Dancing with the stars”

10.02.2015 14:37

Këngëtarja e mirënjohur shqiptare nga Shkupi, Altuna Sejdiu-Tuna, është fituesja e edicionit të 5-të të spektaklit më të madh shqiptar të kërcimit, “Dancing with the stars”....

Tuna ishte vipi më i votuar nga publiku shqiptar gjatë mbrëmjes finale, duke lënë pas Amos Zaharian dhe Evi Reçin. E Tunës natyrisht nuk i mungoi mbështetja edhe nga Shkupi, pasi disa adhurues të saj u panë edhe në sallën e spektaklit në Tiranë.
 
Për ta bërë spektaklin edhe më atraktiv, organizatorët ishin kujdesur që gjatë natës finale të performojë edhe çifti fitues i “Dancing with the stars” në Itali, Guisy Versace dhe balerini profesionist, Raimondo Tadardo. E para që e la mbrëmjen e dansing-it ishte bukuroshja nga Zvicra, Heidi Lushtaku, që u eliminua gjatë performancës së parë në grup.
 
Mbrëmjes së mbushur me kërcim dhe surpriza iu largua edhe kantautori, Kristi Popa, duke lënë si treshe finaliste Amos Zaharian, Evi Reçin dhe Tunën. Pas shpalljes fituese, Tuna nuk fshehi emocionet.
 
“Ishte eksperienca më e bukur e jetës time, ishte eksperiencë të cilën ja uroj çdo kolegut tim, çdo koleges time, sepse është një gjë në portofolin tuaj të cilën kush e di me sa lek nuk mund ta blini. Ishte e vetmja gjë për të cilën nuk do të pendohem në asnjë sekondë. Ju faleminderit shumë, shumë, jam shumë e lumtur”- u shpreh fituesja e “Dancing with the stars”, Altuna Sejdiu-Tuna.
 
Kështu, mes një atmosfere festive dhe magjike u mbyll edhe edicioni i 5-të i “Dancing with the stars”, që ishte pjesë e ekraneve të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe kudo ku ka shqiptarë.
Ndërsa shqiptarët në Maqedoni këtë spektakël kishin mundësi ta ndjekin nëpërmjet ekranit të TVM-2.
 
GYLTENE SINANI