Maqedoni
Mesazhi kreut të BFI-së për muajin e shenjtë të Ramazanit
22.03.2023 14:18
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame ka uruar besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit...

Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame ka uruar besimtarët myslimanë për fillimin e muajit të Ramazanit. Kreu i BFI-së, Shaqir Fetai ne mesazhin e tij foli për përfitimet e agjërimit në këtë muaj të shenjtë. Ai tha se mirësia, paqja, humanizmi, afrimi me njëri tjetrin, ngritja e moralit në shoqëri dhe nxënia e diturisë, janë disa nga mesazhet që ky muaj i përcjell, që janë shumë të rëndësishme për kohën në të cilën jetojmë. Fetai uroi që në këtë muaj të ketë kthim në vlerat e vërteta njerëzore, të mbizotërojë paqja, respekti dhe toleranca ndaj bashkëqytetarëve, pa dallim përkatësisë etnike e fetare.
“Të nderuar besimtarë, vëllezër e motra dhe bashkëqytetarë të vendit. Kam kënaqësinë e veçantë që me rastin e ardhjes të muajit të bekuar Ramazan t’u drejtohem të gjithë besimtarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë me përgëzimet më të mira të uroj fillimin e këtij muaji, i cili ka rëndësi të veçantë për besimtarët myslimanë kudo që ata gjenden nëpër botë.
Fillimisht i falënderohemi të Madhit Zot, me lejen e të cilit sonte po e fillojmë agjërimin, që është një ibadet specifik i muajit Ramazan dhe i cili ibadet, këtë muaji e bënë të jetë një manifestim madhështor me tërë përmbajtjen dhe gjallërinë e tij që në vete përmban koncepte madhështore dhe përcjell mesazhe të shumta, jo vetëm për myslimanët, por edhe për tërë njerëzimin.
Mesazh tejet i nevojshëm për kohën ku jetojmë, që Ramazani e përçon në shoqërinë tonë është mesazhi i paqes, mirësisë dhe humanitetit. Ky mesazh, reflektohet përmes solidaritetit dhe bamirësisë ndaj njerëzve në nevojë, sepse duke mos ngrënë e mos pirë, më së miri e kuptojmë se ç’do të thotë të jesh i uritur dhe të jesh skamnor. Përmes këtij mesazhi krijohen ura lidhëse mes të pasurve dhe të varfërve dhe ngjall dashuri dhe simpati në zemrat e njerëzve.
Mesazhi i afrimit me njëri-tjetrin, po ashtu është një mesazh që po na përcillet nga ky muaj i bekuar. Dinamizmi i kohës moderne si dhe nevojat e ndryshme njerëzore kanë bërë që njerëzit të largohen mes veti edhe anëtarët më të afërt të familjes. Përmes shtruarjes së iftarit dhe syfyrit, Ramazani e rikthen bashkimin e familjes në vijën vertikale dhe atë horizontale. Ai e afron prindin me fëmijët dhe i bën ta ndjejnë afërsinë e njëri tjetrit dhe ta shijojnë kënaqësinë e të qenurit bashkë.
Mesazh tjetër shumë i rëndsishëm që po na e përcjell ky muaji i bekuar është ngritja e moralit në shoqëri, sepse Ramazani, respektivisht agjërimi i ditëve të tij, agjëruesit ia përmirëson sjelljet e tij duke e larguar atë nga punët e liga, sepse agjërimi nuk është dietë apo thjesht vetëm largim nga haja, pija dhe epshi, edhe pse këto elemente e përbëjnë aspektin juridik të vlefshmërisë së agjërimit, por qëllimi esencial i agjërimit është ngritja e moralit dhe devotshmëria e njeriut.
Po ashtu, Ramazani në shoqëri përçon mesazhin e nxënies së diturisë, shkollimit, arsimimit etj., sepse në këtë muaj u shpall Kur’ani famëlartë. Në këtë aspekt, Ramazani me të drejtë mund të konsiderohet muaj i shkencës, arsimit, librit, lapsit, shkronjave dhe shkrimit. Kuptimi i drejtë dhe esencial i këtij karakteri të Ramazanit, sjell dobi jo vetëm për ne, por edhe për të gjithë njerëzimin, ngase të arriturat shkencore nuk janë monopol i popujve të caktuar, por janë vlera të përgjithshme nga të cilat përfitojnë të gjithë njerëzit.
Vëllezër e motra, besimtarë të dashur,
Në fund, më lejoni që në emër të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, organeve dhe institucioneve edukativo-arsimore të saj, si dhe në emrin tim personal, juve dhe bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në shtetet perëndimore, t`u uroj Ramazan të lehtë dhe të këndshëm. Dëshiroj që në këtë muaj më fuqishëm t’u kthehemi vlerave të vërteta njerëzore. Të mbisundojë paqja gjithkund nëpër botë, të rritet dashuria për njëri-tjetrin, për familjet tona, për miqtë e shokët, për fqinjët, por edhe respekti dhe toleranca ndaj bashkëqytetarëve tanë, pa marrë parasysh përkatësinë etnike e fetare.
Zoti ju bekoftë!”, - u shpreh kryetari i BFI-së, Shaqir Fetahi.
FLUTURA LATIFI
