Maqedoni
Nuhiu: Takimi në Ohër, fillim i procesit të normalizimit
22.03.2023 14:42
Takimi në Ohër mes palëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së...

Takimi në Ohër mes palëve të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim të BE-së nuk përmbushi pritshmëritë e mëdha që kishte opinion, por është një fillim i mbarë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve, vlerësojnë panelistët në “Argument” në TVM2. Sipas tyre, marrëveshja për të zbatuar aneksin e marrëveshjes për normalizim të raporteve është fillim i një procesi që fundin duhet ta ketë me marrëveshje juridike që do të thotë njohje reciproke dhe integrim evropian.
“Është pozitive, fillimi nuk është diçka spektakolare. Perëndimi ka prit edhe më shumë, por kur e ka parë se rezistenca jashtëzakonisht e madhe edhe në parlamentin serb edhe në opininin serb e detyron Vuçiqin të paraqitet ashtu siç paraqitet dhe është e qartë ajo që thotë Borelli se nuk është gjendja siç ka qenë është më mirë, por duhet vazhduar edhe më tej deri në marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht të obligueshme.”, - deklaroi politologu, Qani Nuhiu.
Mehmeti: Kosova doli me përparësi në Ohër
“Në këtë raund unë mendoj se Kosova doli me një avantazh në këtë takim. Kuptohet se kjo që duhej të gëlltitet çështja e komunave me shumicë serbe ishte një problem shumë serioz, sidomos për kryeministrin e Kosovës, që vjen nga një parti që kundërshtonte ashpër këtë asociacionin e komunave. Ai gjeti njëfarë forme për të arsyetuar që do të thotë jo vetëqeverisje, por vetmenaxhim që ishte një zgjidhje e mirë.”, - theksoi analisti politik, Ibrahim Mehmeti.
Të pyetur rreth asaj se vetmenaxhimi i komunave serbe a është kryekëput e njëjtë me Asociacionin, analistët thanë se vetmenaxhimi si term dallon, por nuk mund të thonë diçka konkrete pa u shpjeguar definimi i vetmenaxhimit nga përpiluesit e marrëveshjes.
ERSAN PAJAZITI
