Maqedoni
Kritikat ndaj gjyqësorit të korruptuar, Selmani: Kanë devijuar të gjitha institucionet
22.03.2023 15:48
Kritikat ndaj gjyqësorit të përfshira në raportin e departamentit amerikan të shtetit janë reale të karakterit moral...

Kritikat ndaj gjyqësorit të përfshira në raportin e departamentit amerikan të shtetit janë reale të karakterit moral si një qortim publik, pasi që deri më tani nuk ka pasur përpjekje për të zgjidhur problemet, vlerëson profesori universitar Bashkim Selmani. Sipas tij, si rrjedhojë e gjyqësorit të korruptuar, janë të dëmtuar të gjitha institucionet.
“Tanimë ne kemi komplet sistemin shtetëror të dëmtuar dhe jofunksional për sa i përket shërbimeve të qytetarëve, duke filluar nga vetë kryeministria, sepse në vetë kryeministrinë para tre-katër muajve u pa se kishte mjete të keqpërdorura për të cilat, po ashtu sistemi i revizionit, krejt të gjitha këto janë të ndërlidhura me partitë politike dhe politika apo institucionet janë në shërbim të faktorit politik, e jo faktorit real, e cila në këtë rast i jep mundësi individit të sillet mbi institucionin dhe të keqpërdor institucionin.”, - deklaroi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Selmani: Jo veting, por sistem i ri gjyqësor
Selmani kundërshton vetingun e paralajmëruar nga kryeministri, pasi sipas tij rëntgeni i punës së gjykatësve s’do të zgjidh çështjen. Selmani kërkon ndërhyrje ndërkombëtare në krijimin e sistemit institucional administrativ dhe gjyqësor të pavarur.
“Nëse ne i bëjmë revizion ose një analizë të punës së tij, do të shohim se edhe nëse ka keqpërdorime ai mund të largohet nga puna, mirëpo një mijë lëndë që janë vjetërsuar dhe një mijë qytetarë që ka dëmtuar ai, kush do t’i ndihmojë ata persona. Neve na intereson që ne kur kemi t’u drejtohemi institucioneve të marrim shërbime dhe kjo më tepër moralisht i shërben kryeministrit dhe nga ana tjetër detyrimisht duhet të krijohet një faktor ndërkombëtar nga Bashkimi Evropian, i cili në mënyrë të pavarur mund të bëj vlerësimin.”, - theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Nga analizat e bëra, Selmani thotë se institucionet e shtetit janë bërë edhe më agresive me korrupsion aktiv dhe pasiv nëpërmjet ndikimeve. Ndërkohë, Departamenti amerikan i shtetit në raportin për të drejtat dhe liritë e njeriut në Maqedoninë e Veriut ka notifikuar se gjyqësori është i korruptuar, i ndikuar nga pushteti duke bërë që lëndët të zvarriten dhe kalojnë afatin për shqyrtim.
MERAL ISMAILI
