Maqedoni
Kuvendi shqyrtoi propozimin e KGJ-së, Elizabeta Dukovska, gjykatëse në kushtetuese
22.03.2023 16:32
Kuvendi përfundoi diskutimin për kandidaten për gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese, Elizabeta Dukovska...

Kuvendi përfundoi diskutimin për kandidaten për gjykatëse në Gjykatën Kushtetuese, Elizabeta Dukovska, e cila aktualisht është gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Shkup. Dukovska pritet të jetë anëtarja e shtatë e Gjykatës Kushtetuese nga nëntë anëtarë sa duhet të ketë gjithsej. Sipas Këshillit të Gjykastëve, në garën për gjykatës në Gjykatën Kushtetuese, ku kanë garuar tre kandidatë, Dukovska është zgjedhur me shumicë votash, përkatësisht 11 anëtarë kanë votuar pro dhe vetëm dy kundër.
“Bëhet fjalë për gjykatëse me përvojë të gjatë gjykatësie, e cila në karrierë është avancuar në vazhdimësi nga shkalla më e ulët e gjykatësit deri në nivelin më të lartë, kur në vitin 2009 është zgjedhur gjykatëse në Gjykatën e Apelit në Shkup, ku ende është gjykatëse dhe kryetare e Këshillit.”, - deklaroi anëtari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Gerasimovski.
Opozita maqedonase kontestoi zgjedhjen e Dukovskës në Këshillin Gjyqësor, pasi në garë kanë qenë tre kandidatë, ndërkaq është votuar vetëm për Dukovskën.
“Me shkeljen e lirive dhe të drejtave kushtetuese keni verifikuar kandidat për anëtar në Këshillin Gjyqësor pasi të gjithë këta kandidatë kanë të drejtë të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur. Sipas nenit nëntë, të gjithë kandidatët duhet t’i trajtoni njësoj në liritë dhe të drejtat dhe të gjithë kanë të drejtë që para anëtarëve të Këshillit Gjyqësor të vihen në votim.”, - theksoi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Milloshovski.
Këshilli Gjyqësor sqaron se votimi është bërë sipas radhës që janë propozuar. Me që kandidati i parë për të cilin votohej ka fituar shumicën e nevojshme ligjore, Këshilli Gjyqësor ka vendosur që të mos vazhdojë me votimin për kandidatët e tjerë pasi është dashur t’i propozojë Kuvendit vetëm një kandidat. Këshilli Gjyqësor pretendon se kjo është praktika e deritanishme, konformë ligjit.
SHPËTIM NUREDINI
