Maqedoni
Linja e re kreditore, do të mbështetet digjitalizimi i kompanive
23.03.2023 14:55
Kompanitë që kanë qëllim digjitalizimin dhe transformimin digjital do të mbështeten nga shteti përmes kredive...

Kompanitë që kanë qëllim digjitalizimin dhe transformimin digjital do të mbështeten nga shteti përmes kredive me norma të favorshme të interesit. Përdorues mund të jenë kompanitë mikro, të vogla dhe të mesme. Linja e kredisë do të zbatohet përmes bankave të kualifikuara pjesëmarrëse dhe është krijuar për t'u ofruar kompanive mbështetje kreditore të favorshme gjatë realizimit të projekteve në fushën e digjitalizimit dhe transformimit digjital.
“Linja e re kreditore do të realizohet nëpërmjet bankave të kualifikuara pjesëmarrëse, me një normë interesi të favorshme prej 2.9% për përdoruesit. Kompanitë do të mund të shfrytëzojnë maksimum 300.000 euro për blerjen e aseteve fikse me periudhë kthimi deri në 8 vjet dhe me një grejs periudhë deri në 12 muaj dhe maksimum 100.000 euro për kapital qarkullues me periudhë kthimi në 5 vjet, me një grejs periudhë deri në 6 muaj. Banka zhvillimore rregullon vazhdimisht produktet e saj në drejtim të mbështetjes së kompanive në kushtet e reja të funksionimit.”, - deklaroi drejtori i Bankës për zhvillim, Kire Naumov.
Sipas kryeministrit Kovaçevski, digjitalizimi u mundëson kompanive të zhvillohen më shpejt dhe me efikasitet. Ai theksoi se Qeveria është e përkushtuar që të krijojë mundësi për qasje në fonde për investime dhe implementim të strategjive dhe planeve digjitale.
“Kjo linjë krediti është një risi në treg, e përshtatur sipas nevojave të tregut dhe do të jetë në funksion të shfrytëzimit të përfitimeve të kompanive nga procesi i digjitalizimit. Banka e zhvillimit është një pioniere e tregut në këtë proces dhe nuk ka dyshim që inkurajohen të marrin pjesë edhe bankat tregtare, e gjitha kjo për të përshpejtuar dhe forcuar ciklin e zbatimit të transformimit digjital të kompanive.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ambasadorja e Zvicrës, Veronique Ullmann Marty, theksoi rëndësinë e digjitalizimit për rritjen ekonomike.
“Bazuar në përvojën zvicerane, pjesëmarrja aktive e sektorit privat në përcaktimin e politikave dhe masave që prekin ato është një parakusht për krijimin e një mjedisi që do të lejojë ekonominë të lulëzojë. Kjo është arsyeja pse Zvicra po mbështet Bankën Kombëtare për Zhvillim të Maqedonisë së Veriut për të kryer një analizë të nevojave financiare të digjitalizimit, duke iu drejtuar kompanive në vend.”, - u shpreh ambasadorja e Zvicrës, Veronique Ullman Marty.
Për krijimin e kësaj strategjie Maqedonia e Veriut ka marrë mbështetje nga Banka Botërore, programi GIZ dhe IME, kurse financiarisht është mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.
ERSAN PAJAZITI
