Zjarr në Veles, një e vdekur dhe gjashtë të lënduar

10.02.2015 16:11

Një grua e moshuar ka humbur jetën dhe gjashtë persona të tjerë janë lënduar si pasojë e një zjarri që ka kapluar dy shtëpi dhe një punëtori rrobaqepësie në Veles...

Zjarri ka shpërthyer mbrëmë, gjysmë ore pas mesnate, në rrugën "Gjore Organxhiev" në Veles, me ç’rast është përfshirë shtëpia e familjes Boshkovski, ndërsa më pas nga zjarri është kapluar edhe një shtëpi, si dhe punëtoria e rrobaqepësisë së Rashetos, ku tërësisht është djegur pajisja dhe retro-materialet.

“Gjithçka që kishim është djegur, kjo është tmerr, mos i ndodhtë askujt kjo fatkeqësi. Nuk di më tepër se ç’të ju them”- deklaroi një banore.

Gjatë intervenimit, njëri nga zjarrfikësit, nga shpërthimi i bombolës së gazit është lënduar dhe është dërguar në spital. Po ashtu, drejtuesi i ndihmës së shpejtë ka rrëshqitur në akull nga uji i ngrirë nga temperaturat e ulëta dhe ka thyer këmbën.

Shtëpitë e djegura i vizitoi ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov dhe kryetari i Komunës së Velesit, Sllavco Cadiev.

“Sot jemi në terren bashkë me “Kryqin e Kuq”, me Qendrën për Punë Sociale dhe komunën, me qëllim që t’i vizitojmë njerëzit që humbën gjithçka në jetë, që i kishin ndërtuar me vite. Bëhet fjalë për tri shtëpi që janë përfshirë nga zjarri, ku dy prej tyre janë krejtësisht të djegura”- tha ministri i Punës dhe Politikës Sociale,  Dime Spasov.

“Mbrëmë kaluam këtu bashkë më banorët e kësaj pjese të qytetit, bashkë me njësitë e zjarrfikësve dhe u përpoqëm të japim ndihmën tonë dhe do të  vazhdojmë të pastrojmë shtëpitë e djegura”- u shpreh kryetari i Komunës së Velesit, Sllavço Çadiev.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq”, me këtë rast u dhuruan familjeve gjërat e nevojshme, si ushqim, veshmbathje, preparate higjienike, batanije etj.

Spasov theksoi se Qendra për Punë Sociale në Veles dhe Ministria e Punës dhe Politikës Sociale do të ndajnë mjete financiare për familjet pa kulm mbi kokë. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)