Maqedoni
Baerbock: Ndryshoni kushtetutën, hapni bisedimet
23.03.2023 15:06
Ndryshimet kushtetuese të votohen sa më shpejt me qëllim që në fund të vitit të hapen kllasterët me BE-në....

Ndryshimet kushtetuese të votohen sa më shpejt me qëllim që në fund të vitit të hapen kllasterët me BE-në. Për këtë arsye edhe opozita duhet të ulet në tavolinë dhe të dëshmohet fuqia politike e shtetit dhe e koalicionit mbipartiak. Ky është mesazhi të cilin e përcolli ministrja e jashtme gjermane, Analena Berbok, në Shkup. Diplomatja gjermane dha fjalën se BE-ja nuk do ta lë vendin tonë të vetmuar, ndërkaq si përkrahje të vazhdueshme theksoi ardhjen e saj të sërishme në muajin dhjetor.
“Dua t’ju inkurajoj që t’i shfrytëzoni të gjithë mjetet e disponueshme që të mund të vazhdojë procesi tutje muaj në vijim dhe të mos ndodh të mos keni sukses në këtë pengesë kryesore. Marrëveshja për ndryshimet kushtetuese nuk guxon të shndërrohet në mollë sherri në garë për popullaritet në anketa apo në garë se cila parti në fund të zgjedhjeve mund të fitojë ndonjë përparësi. Për rrugën në BE vlen secili hap. Ndonjëherë është shumë me rëndësi ta vlerësoni momentin që t’i lëvizni gjërat përpara. Vërtetë mendoj se tani është momenti.”, - deklaroi ministrja e jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock.
Osmani: Ardhmëria e vendit, obligim dhe përgjegjësi
Hapi i radhës drejt unionit varet prej nesh, potencoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani, e me këtë, edhe përgjegjësia sipas tij bie mbi të gjithë partitë politike.
“RMV-ja ka marrë obligime dhe këto duhet realizuar, ndërsa bisedimet për anëtarësim me BE-në duhet të vazhdojnë. Kësaj radhe kjo varet vetëm prej nesh, nga secili. Në BE nuk integrohet vetëm qeveria, por edhe shteti edhe opozita dhe secili duhet të mbajë përgjegjësi për këtë proces dhe këtu presim mbështetje nga të gjithë miqtë.”, - theksoi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
Osmani kërkoi kthimin e kredibilitetit të BE-së, i cili mund të ndikojë në ndërprerjen e ndikimit rus, që për qëllim ka mosperspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe moszgjidhjen e konflikteve të ngrira në rajon.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
