Maqedoni

Kovaçevski për ndryshimet kushtetuese: Obligim i çdo partie që sheh vendin në BE

23.03.2023 15:47

Ndryshimet kushtetuese janë obligim i çdo partie politike, e cila është pro anëtarësimit të vendit në BE...

Ndryshimet kushtetuese janë obligim i çdo partie politike, e cila është pro anëtarësimit të vendit në BE, thotë kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Ai njëherit ka ftuar opozitën që të mbështesë reformat drejt BE-së, për të cilat nevojiten dy të tretat e votave.
 
“Amendamentet që janë pjesë e kornizës negociuese dhe pjesë e vendimeve që duhet të miratohen me dy të tretat e votave në kuvend janë vetëm një nga vendimet që miratohen me dy të tretat e votave. Deri në anëtarësimin në BE neve na presin reformat e sistemit gjyqësor, administratës publike, decentralizimit dhe këto janë vendime që sillen me dy të treta e votave.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
VMRO-DPMNE për ndryshimet kushtetuese: Nuk do të votohen nga disa deputet të LSDM-së
 
Por, nga VMRO-DPMNE përsërisin se nuk do të pranojnë ndryshimin e kushtetutës. Ndërsa sa i përket deklaratës së zëvendëskryeministrit, Artan Grubi, të një dite më parë se po punohet që VMRO-DPMNE të votojë për ndryshimet kushtetuese, nga partia opozitare thonë se ka edhe deputet të LSDM-së që nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese. 
 
“Po parashtrojmë pyetje të hapura se nëse  3 deputetë nga njësia e parë dhe dytë zgjedhore kanë thënë se nëse në tavolinë parashtrohet kjo çështje, ata nuk do të votojnë apo ndoshta 6 deputetë nga LSDM u kanë thënë se ndryshimet kushtetuese janë gjëja më e keqe që mundet ta bëjë kjo qeveri. A ka kërkuar një deputete e BDI-së të holla për të votuar. Grubi nuk duhet të punojë për VMRO-DPMNE-në, por për oborrin e tij.”, - theksoi Marija Miteva nga VMRO-DPMNE.
 
Alternativa për ndryshimet kushtetuese propozon amendament për luftim të korrupsionit
 
Alternativa është pro ndryshimeve kushtetuese, por propozon një amendament përmes të cilit veprat penale eventuale të ushtruesve të detyrave zyrtare asnjëherë të mos munden të vjetërsohen. 
 
“Të gjithë ata qofshin parti politike apo aktorë politik që në këtë amendament kushtetues shohin një mundësi për shantazh apo për pazare politike vetëm se e vërtetojnë se nuk janë mjaftueshëm të bindur dhe të sinqertë në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe kjo edhe njëherë e dëshmon se pse kemi një raport kaq negative nga departamenti i shtetit.”, - u shpreh Orhan Murtezani nga Alternativa.
 
Sipas Alternativës me këtë amendament përmbushen kërkesat e qytetarëve sigurimin e së drejtës, sigurinë juridike dhe barazinë para ligjeve. 
 
FLUTURA LATIFI