Ekonomi

Peshevski: Vendime pune për 3 mijë të punësuar me kontratë

10.02.2015 16:19

Më shumë se 3 mijë persona, të cilët momentalisht punojnë në institucionet shtetërore dhe publike, të angazhuar me marrëveshje të përkohshme, volonterët dhe të gjithë personat me kontratë autoriale do të marrin vendime të përhershme...

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Vladimir Peshevski, tha se për  këtë është paraparë të miratohet propozim-ligji për transformim në marrëdhënie të rregullt pune nga ana e Qeverisë së Maqedonisë.

“Implementimi i këtij ligji do të fillojë menjëherë pasi të miratohet i njëjti ligj në Kuvendin e Maqedonisë. Me hyrjen në fuqi të tij, institucionet janë të obliguara që na afat prej 30 ditësh të lidhin kontrata për marrëdhënie të rregullt pune. Është me rëndësi të përmendet se deri në hyrjen në fuqi të kontratave të reja të punës të gjithë personat e punësuar nuk do të mbeten pa të ardhura dhe do të angazhohen në të njëjtin vend pune një lloj si më parë. Prioritet të punësimit do të kenë personat të cilët janë me afat kohor më të gjatë në institucionin ku punojnë, gjegjësisht ata të cilët kanë më tepër përvojë pune, menjëherë të parët do të punësohen me vendime të përhershme”- deklaroi zëvendëskryeministri, Vladimir Pershevski.

Në Ligjin për Punësim të Përhershëm janë përfshirë të gjitha  institucionet dhe ndërmarrjet publike, ku themelues është Qeveria e Maqedonisë. Këto punësime do të realizohen në tre faza dhe siç tha zëvendëskryeministri Peshevski, në fazën e parë do të punësohen rreth 35 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve me status pune të përkohshme.

I vetmi kusht për transformimin e vendit të punës nga i përkohshëm në të përhershëm është që personat të jenë të angazhuar më së paku 3 muaj në vitin 2014. (Rexhep Qamili, TVM2)