Reagime pas publikimit të aferës së përgjimeve
Ish-kryetari i RDK-së, Rufi Osmani, ka konfirmuar se biseda e publikuar dje nga LSDM-ja është e vërtetë dhe autentike...

Sipas tij, ka ardhur koha të pastrohet i gjithë historiku i të gjitha figurave publike për këto 24 vite të pluralizmit në vend. Vetëm me publikimin e së vërtetës së plotë do të mund njëherë e përgjithmonë të pastrohet e kaluara e secilit pushtetar me përgjegjësi konkrete dhe të rihapet procesi i rimëkëmbjes së demokracisë, lirive dhe të drejtave civile dhe të rikthehet besimi në institucionet e vendit.
Edhe BDI-ja ka reaguar mbrëmë pas publikimit të skandalit të përgjimit nga LSDM-ja, nga e cila kanë thënë se janë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit politike në vend. Dënojmë çdo veprim që bie ndesh me shtetin ligjor dhe të drejtat fundamentale të qytetarëve. Vlerësojmë se të gjitha çështjet e hapura duhet të zgjidhen në mënyrë transparente dhe në rrugë institucionale. Kërkojmë nga të gjithë faktorët politik të jenë të përgjegjshëm dhe të ndërgjegjshëm për situatën edhe ashtu të tensionuar politike në vend, thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.
Ndërsa nga Lidhja Demokratike e Maqedonisë, përmes një komunikate, kërkuan kthimin e opozitës maqedonase në parlament, me qëllim që të mundësohet mbikëqyrja e shërbimit sekret në vend. Lidhja Demokratike kërkon që prokurori publik të formojë një ekip të posaçëm, i cili do të punojë në kontrollimin dhe dokumentimin e informacioneve për përgjimet, si dhe përgjegjësitë për të gjithë palët e përfshira në këtë skandal, pa dallim se për kë bëhet fjalë.
Prokuroria e Përgjithshme Publike ka bërë të ditur se dje nuk është ngritur padi penale nga ana e LSDM-së për aferën e përgjimit. Kryeprokurori, Marko Zvërllevski, për Radio “Evropa e Lirë” ka deklaruar se kur të pranojnë padinë penale do të marrin masa rreth rastit. Ndërsa nga LSDM-ja kanë paralajmëruar se padi për skandalin e përgjimit do të ngrihet gjatë këtyre ditëve.
Ndërsa institucioni Avokati i Popullit e ka vlerësuar përgjimin si shkelje e të drejtave të njeriut-të drejtën e privatësisë dhe jetës familjare.
“Unë si avokat i Popullit të Republikës së Maqedonisë e gjykoj këtë fenomen pa dallime nëse bëhet fjalë për incizimin ose përgjimin e personave publik ose qytetarëve tjerë. Ky fenomen, besomëni, do të sjellë pasoja shumë të rënda edhe për qytetarët edhe për shoqërinë tonë, por edhe është fenomen trishtues. Bëj thirrje si avokat i Popullit për urtësi”- ka deklaruar për mediat maqedonase avokati i Popullit, Ixhet Memeti. (Flutura Latifi-Topojani, TVM2)
