LSM, ndihmon familjet e përmbytura
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë në bashkëpunim me “Kryqin e Kuq” i është bashkangjitur aksionit humanitar me shpërndarjen e pakove në rajonet e përmbytura të Maqedonisë...

Familjeve, të cilat kanë pësuar dëme më të mëdha nëpër këto zona, do t’u dhurohen pako ushqimore, ujë, detergjente, veshje, ndihmë në të holla dhe shumë gjësende të tjera.
“Me të vërtetë behët fjalë për katastrofë natyrore jashtëzakonisht të vështirë, e cila në veçanti e ka goditur rajonin e Pellagonisë, ku në kuadër të Kombinatit Bujqësor “Pellagonia” kemi mbi 1000 të punësua. Atje është përmbytur një pjesë e madhe e sipërfaqes. Përllogaritjet e dëmeve janë të mëdha”- deklaroi kryetari i LSM¬-së, Zhivko Mitrevski.
Sekretari i përgjithshëm i “Kryqit të Kuq”, Sait Saiti, apeloi që të donohen mjete financiare dhe mjete higjienike për shkak se pason periudhë e rehabilitimit dhe kthimit të banorëve në shtëpitë e tyre.
“Aktivitetet duam që t'i orientojmë drejt grumbullimit të mjeteve financiare dhe kryesisht mjeteve për higjienë dhe ushqim, për shkak se pason faza e tretë nga përballja me krizën, e ajo është faza e rehabilitimit dhe kthimit të familjeve në shtëpitë e tyre, që imponon aktivitete shtesë, që janë të ndërlidhura me ndihmë të caktuar, të orientuar drejt riparimit të mobiljeve dhe aftësimit të shtëpive për banim”- tha sekretari i përgjithshëm i “Kryqit të Kuq”, Sait Saiti.
Deri sot, përmes numrave të telefonit për ndihmë dedikuar rajoneve të përmbytura, janë grumbulluar nëntë milionë e gjysmë denarë, ndërsa së bashku me mjetet e llogarisë solidare të “Kryqit të Kuq” janë mbledhur 11 milionë denarë.
Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i fton të gjitha organizatat sindikale, në kuadër të mundësive të tyre, që në mënyrë aktive të kyçen në realizimin e këtij aktiviteti, me qëllim që t'u ndihmojnë qytetarëve në rajonet e pësuara. (Farije Dauti-Bakiu, TVM2)
