Botë

Shqipëria do të bëjë gjithçka që Rusia të jep llogari për krimet në Ukrainë

24.03.2023 15:28

Shqipëria do të bëjë çmos për llogaridhënien e Rusisë, për krimet e luftës në Ukrainë....

Shqipëria do të bëjë çmos për llogaridhënien e Rusisë, për krimet e luftës në Ukrainë. Ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka, foli gjatë konferencës së përbashkët me sekretaren e përgjithshme të OSBE-së, Helga Shmid, për prioritetet e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në OKB, si dhe paralajmëroi një vizitë në Maqedoninë e Veriut si kryesuese e OSBE për këtë vit.
 
“Shqipëria ka luajtur rol të rëndësishëm në KS për të mbështetur Ukrainën dhe për të izoluar Rusinë. Ne jemi anëtarë të rinj të grupit të miqve për llogaridhënie si një instrument i rëndësishëm. E sigurova sekretaren e përgjithshme që do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar për sigurinë, paqen dhe stabilitetin dhe reformave në rajonin tonë, Ballkanin Perëndimor. Vetëm pak ditë nga sot do të vizitoj Bujar Osmanin në Shkup dhe një ndër temat e diskutimit është se si do ta përdorim mandatin tonë në KS dhe Presidencën e Maqedonisë së Veriut për të shkëmbyer bashkëpunimet mes dy vendeve.”, - deklaroi ministrja e jashtme, Olta Xhaçka. 
 
Zyrtarja e lartë e OSBE-së, Shmid, vlerësoi Shqipërinë për qasjen ndaj luftës në Ukrainë, si dhe për bashkëpunimin rajonal. Schmid, gjatë konferencës foli edhe për ndërtimin e kampusit të tretë të kolegjit evropian, si dhe foli për përfitimet e mëdha që do të kenë të rinjtë nga ky projekt.
 
LULJETA NDOKA