Botë
Franca, vazhdojnë protestat kundër reformës së pensioneve
24.03.2023 16:13
Francezët i janë përgjigjur ashpër kryetarit Emmanuel Macron dhe deklaratës së tij për vazhdimin e reformës së diskutueshme...

Francezët i janë përgjigjur ashpër kryetarit Emmanuel Macron dhe deklaratës së tij për vazhdimin e reformës së diskutueshme të sistemit të pensioneve në atë që ai e quan një "rrugë demokratike". Rreth 3.5 milionë francezë dolën në rrugë, megjithëse policia pa vetëm pak më shumë se një milion, por gjithsesi kishte shumë në rrugët anembanë vendit. Protestat nuk po pakësohen, por përkundrazi, ato po ndezen dhe radikalizohen dhe janë drejtuar kundër personalitetit të presidentit Macron.
“Mjaft më, mjaft folëm, ai nuk na bindi. Emmanuel Macron është jashtë realitetit, ai nuk e di më se ku është.”, - tha një protestues.
“Ai më duket si Putini në fillimet e tij, duke futur ngadalë autoritarizmin, mendon se është më i mirë se të tjerët, mendon se po bën mirë dhe ka të gjitha njohuritë, do të thosha për të mirën e popullatës.”, - u shpreh një protestues tjetër.
Në fakt, e gjithë dita e djeshme dhe orët e vona të mbrëmjes kaluan në incidente dhe përplasje mes disa prej demonstruesve dhe policisë, veçanërisht në Paris, Rouen, Rennes. Në Lorient u sulmua një stacion policor dhe në Bordo ku iu vu zjarri portës së hyrjes së pallatit të Rouen-it, selisë së bashkisë. Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin dha vlerësimin më të fundit për trazirat e ndodhura dje gjatë mobilizimit kundër reformës së pensioneve.
Në Paris, 903 zjarre u ndezën nga mobilet e rrugës dhe kosha plehrash, ndërsa 457 u arrestuan në të gjithë Francën dhe 441 policë dhe xhandarë u plagosën. Ai akuzon ekstremin e majtë për radikalizmin e lëvizjes, e cila sipas tij kërkon të shkatërrojë institucionet e republikës.
Sekretari i përgjithshëm i CFDT - sindikata më e madhe dhe më e moderuar franceze, për RTL dënoi degradimet e bëra të enjten me rastin e nëntë ditës së mobilizimit kundër reformës së pensioneve. "Unë mendoj se është e tmerrshme," tha ai.
“Kur sulmojmë simbolet e Republikës, bashkinë, komisariatin, fillojmë të sulmojmë njëri-tjetrin, më vjen keq sepse fsheh thelbin e temës, çështjen sociale të reformës së pensioneve, që e shkaktoi këtë.”, - tha sekretari i përgjithshëm i sindikatës CFDT, Laurent Berget.
Berger nuk beson se lëvizja sociale po del nga kontrolli i sindikatave, duke theksuar turmat e mëdha në procesionet paqësore.
"Unë po bëj thirrje për qetësim dhe si ta gjejmë atë? Unë sugjeroj që të ketë kohë për të dëgjuar, për dialog, për të lënë pezull reformën e pensioneve. Duke reformuar sistemin e pensioneve para rishikimit të kushteve të punës, ne po e vendosim qerren para kalit. Ne duhet t'i qetësojmë gjërat tani, para se të godasë tragjedia.”.
Edhe pse sindikatat shpresojnë për një qetësi, protestat spontane të mbrëmjes dhe përleshjet që filluan të enjten e kaluar në Paris dhe u përhapën në të gjithë Francën nuk ka gjasa të ndalen papritur. Presidenti Macron nuk u ka ofruar asgjë konkrete, përkundrazi, ai po luan kartën e të ashtuquajturit “kalbje” të situatës dhe po diskrediton mobilizimin në sytë e publikut francez.
SEDAT SELIMI
