Maqedoni
Dita botërore e tuberkulozit, ulet numri i rasteve, vaksinat BSZh të sigurta
24.03.2023 16:41
Maqedonia e Veriut në 15 vitet e fundit ka një rënie të vazhdueshme të rasteve me tuberkuloz...

Maqedonia e Veriut në 15 vitet e fundit ka një rënie të vazhdueshme të rasteve me tuberkuloz, megjithatë çdo vit shënohen raste të kësaj sëmundje. Vitin e kaluar në vend janë zbuluar 144 raste.
Vaksinat BSZh kundër kësaj sëmundjeje janë të sigurta, konfirmojnë autoritetet shëndetësore. Në institutin e tuberkulozit aktualisht po trajtohen dhjetë pacientë nga kjo sëmundje.
“Në fillim të këtij muaji nga tuberkulozi ka ndërruar jetë një foshnjë nëntë muajshe. Ndonëse është një sëmundje e shërueshme dhe e parandalueshme, 141 vjet nga zbulimi i agjentit shkaktar të tuberkulozit, 75 vjet nga zbulimi i barnave efektive, tuberkulozi është ende një problem shëndetësor global. Është i pranishëm në të gjitha vendet dhe të gjitha grupmoshat. Çdokush mund të sëmuret nga tuberkulozi.”, - deklaroi drejtori i Institutit të tuberkulozit, Sead Zejnel.
Për shkak të pandemisë me Covid 19 janë anashkaluar kontrollet e sëmundjeve me tuberkuloz, andaj në të ardhmen duhet më shumë mbështetje për trajtimin e kësaj sëmundje.
“Në vitet në vijim na duhen përpjekje të intensifikuara të mbështetura më shumë me financa dhe me qasje shumë sektoriale gjithëpërfshirëse që trajton të gjithë përfaqësuesit e tuberkulozit e ato janë varfëria uria, infeksioni me HIV, pirja e duhanit dhe diabeti.”, - theksoi drejtori i Institutit të tuberkulozit, Sead Zejnel.
Trajtimi i tuberkulozit në RMV është falas dhe në dispozicion për të gjithë ata që kanë nevojë thonë kompetentët shëndetësorë. Theksojnë se masa më e mirë parandaluese është zbulimi i hershëm dhe trajtimi i suksesshëm i secilit që vuan nga tuberkulozi. Sipas të dhënave të fundit të OBSh-së në vitin 2021 janë regjistruar 10.6 milion raste të tuberkulozit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
