Maqedoni

Mbikëqyrje e jashtëzakonshme në spitalin e Manastirit për vdekjen e 6 vjeçares

24.03.2023 17:10

Inspektim i jashtëzakonshëm në spitalin e Manastirit pas vdekjes së 6 vjeçares, Jana Hristovska....

Inspektim i jashtëzakonshëm në spitalin e Manastirit pas vdekjes së 6 vjeçares, Jana Hristovska. Punonjësit e Inspektoratit Shëndetësor dhe Sanitar shqyrtojnë dokumentacionin dhe bisedojnë me stafin që kanë qenë në kontakt me vajzën e cila ndërroi jetë të mërkurën në reanimacion. Drejtori i spitalit, Aleksandar Obednikovski, e ka informuar Ministrinë e Shëndetësisë për rastin. Ai tha se nuk do të ndajë detaje rreth incidentit në pritje të një hetimi.
 
“Të gjithë janë njoftuar, përfshirë ministrin dhe inspektoratin shtetëror shëndetësor. Për momentin kemi inspektime sekrete në inspektoratin shtetëror shëndetësor dhe nga nesër fillimisht duhet të marrim një deklaratë prej tyre dhe pas kësaj do të ketë komision shtesë nga Ministria e Shëndetësisë.”, - deklaroi drejtori i spitalit, Aleksandar Obednikovski.
 
Në shërbimin e patologjisë në spitalin e Manastirit është bërë autopsia e Janës. Ndërsa, ministri i Shëndetësisë Mexhiti nuk jep më shumë detaje për shkaqet e vdekjes. Thotë se do të presë raportin nga institucionet dhe më pas do të merret vendim për veprime të mëtutjeshme.
 
“Jemi në pritje të rezultatit të institucioneve kompetente nga Inspektorati Sanitar Shtetëror dhe inspektorëve dhe do të njoftoheni menjëherë për gjithçka do të bëjmë në vazhdim. Me familjen nuk do të kemi kontakte, më parë me ta për të parë se cili është gabimi.”, - theksoi ministri i shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Edhe Prokuroria Publike është duke e hetuar rastin. 
 
“Prokuroria Themelore Publike, Manastir nxjerr urdhra dhe udhëzime për kryerjen e të gjitha kontrolleve të nevojshme. Ende nuk është përcaktuar shkaku i vdekjes së vajzës.”, thonë nga Prokuroria.
 
Familja e Janës pohoi se megjithëse sheqeri i saj ishte i ngritur, asaj iu dha një infuzion glukoze.
 
“Dyshojmë se sheqeri ka qenë i lartë dhe i kanë dhënë glukozë, ka bërë që sheqeri të rritet edhe më shumë. Këtë herë një infuzion tjetër, por ata nuk mundën të gjenin një venë dhe gjërat filluan të ndërlikoheshin.”, - u shpreh një familjar i Janës.
 
Vajza u dërgua në spital rreth orës 10 të mëngjesit me simptoma të ftohjes. Ajo është shtruar në Repartin e Pediatrisë, ku sipas deklaratave të prindërve i është bërë terapi dhe infuzion, por gjendja e saj është rënduar dhe më pas ka ndërruar jetë rreth orës 14:00.