Botë
Luftime në Ukrainë, seri sulmesh ruse, 5 të vdekur
24.03.2023 17:38
Të paktën pesë persona u vranë në mesin e të cilëve tri gra nga një sulm rus në një qendër humanitare...

Të paktën pesë persona u vranë në mesin e të cilëve tri gra nga një sulm rus në një qendër humanitare strehimi në rajonin lindor të Donjeckut. Kjo qendër ishte ngritur për të ofruar një vend me shërbime bazë, si energji elektrike, ujë dhe ngrohje për të zhvendosurit nga zonat e luftës. Në të njëjtën kohë, luftime të ashpra mes forcave ruse dhe ukrainase janë duke u zhvilluar përreth qytetit lindor të Bahhmudit.
“Ne po qëndrojmë në pozicionin zero dhe tani jemi nën zjarr me mortaja.”, - tha një ushtar ukrainas.
“Vëzhguesit tanë të dronëve i dhanë ekuipazhit të tankeve, komandën që të tërhiqeshin urgjentisht në mënyrë që djemtë tanë të mos goditeshin nga artileria e armikut.”, - theksoi një ushtar tjetër ukrainas.
“Ata kanë një sasi të pakufizuar predhash. Kanë magazina të tëra të mbushura përplot, mund të qëllojnë gjatë gjithë ditës dhe nuk ju mbarohen kurrë predhat. Ndërsa, neve po na mbarojnë predhat këtë vit.”, - u shpreh një ushtar ukrainas.
Presidenti ukrainas, Volodimyr Zelenski, u kërkoi liderëve evropianë që të përshpejtojnë dhe rrisin furnizimin me armë.
“Sa më shpejt të veprojmë së bashku, aq më shumë jetë shpëtojmë. Çdo orë në fushën e betejës është e rëndësishme. Zvarritja e furnizimit të Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi është e dëmshme, pasi mungesa e armëve nuk na lejon të zmbrapsim terroristët rusë nga qytetet tona, të cilat granatohen vazhdimisht nga raketat ruse me rreze të gjatë.”, - deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski.
Ndërkohë BE, premtoi se do vazhdojë ta mbështesë Ukrainën me municone.
“Këshilli për punë të jashtme i BE-së ofron 1 milion fishekë për Ukrainën brenda 12 muajve të ardhshëm. Sigurisht, për ta arritur këtë, ne duhet të rrisim masivisht kapacitetin e prodhimit të municioneve në Evropë.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Von der Leyen, gjithashtu premtoi se BE do t’i kthejë në Ukrainë të gjithë fëmijët e rrëmbyer nga qeveria ruse. 16.200 fëmijë që janë dëbuar nga Ukraina drejt Rusisë. Vetëm 300 prej tyre janë kthyer, për këtë arsye Gjykata Ndërkombëtare Penale javën e kaluar lëshoi urdhërarrestim për presidentin rus, Vladimir Putin dhe zyrtaren ruse, Maria Lvova-Belova, për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas.
FARIJE DAUTI BAKIJU
