Analistët: Qytetarët, peng i luftës politike mes partive maqedonase
Analistët politik ditën e djeshme nuk e shohin si fillim i shpërthimit të “bombave” të LSDM-së opozitare, por si fillim i një krize të madhe shtetërore, e cila shumë lehtë mund të eskalojë...

Albert Musliu, vlerëson se publikimi i materialeve në mënyrë të selektuar tregon se Maqedoninë e pret një skenar i cili nuk do të dridh vetëm skenën politike maqedonase dhe shqiptare, por do të vë në lëvizje edhe qytetarët e vendit.
“Është simptomatike pse kemi reagim nga DPMNE-ja, e cila mund të reagon për çdo gjë, ngase është subjekt politik, nuk e përfaqëson qeverinë. Nga ana tjetër, iniciuesi i gjithë procesit, që është kryeministri, ishte në emër të qeverisë, nuk ishte në emër të partisë së tij, ndërsa ne nga qeveria nuk kemi ndonjë reagim, ngase është palë e involvuar në të gjithë procesin. Ashtu edhe e ka filluar prokurori procesin në iniciativë të qeverisë, ndërhyrje besoj se do të ketë prej ndërkombëtarëve. Pritet edhe ardhja e komisionerit për zgjerim. Situata besoj se do të tensionohet dhe pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve sigurisht se ajo mund të shkojë edhe në skajshmëri dhe ne kemi qenë dëshmitarë edhe në të kaluarën se ajo mund të ndodhë”- deklaroi analisti politik, Albert Musliu.
Analistët janë të mendimit se i vetmi shpëtim për moseskalimin e situatës politike në vend janë zgjedhjet e parakohshme.
“Zgjedhjet janë formë e vetme që në këto materiale mund t’i zgjidhë më seriozisht, që të mund të gjitha dilemat qytetarët t’i sqarojnë, duke ia dhënë mbështetjen e tyre njërit apo tjetrit politikan. Materialet e para që u publikuan dhe reagimi i parë i VMRO-DPMNE-së akoma lënë një farë hapësire për marrëveshje politike. Varësisht prej asaj se çfarë pozicione do të marrin partitë me të mëdha maqedonase, ashtu edhe do të zhvillohen punët, por përgjithësisht të gjithë do të jemi në një situatë të palakmueshme”- tha analisti politik, Petar Arsovski.
“Zgjedhjet e parakohshme tanimë janë të paevitueshme pavarësisht se a do të zbutet situata mes dy palëve në kontest. Mendoj se zgjedhjet janë të paevitueshme, procesi i zgjedhjeve si do të zhvillohet do të varet prej tempos me të cilën do të zhvillohet tempoja e shpalosjes së informative që do t’i prezantojë opozita”- u shpreh analisti politik, Albert Musliu.
Analistët shprehen se në të gjithë këtë situatë edhe vetë qytetarët do të jenë dëshmitarë dhe penge të një lufte mes dy partive më të mëdha maqedonase. (Sanije Kasami, TVM2)
