Tritol ndaj familjes së ministrit Tahiri

10.02.2015 18:24

Familja e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahirit, ka rënë pre e dy atentateve të njëpasnjëshme me tritol...

I pari është shënuar në orën 3 të mëngjesit të sotëm pranë farmacisë së Bashkim Tahirit, ndërsa i dyti pranë vendit ku babi i ministrit parkonte makinën, ku ndodhet edhe shtëpia e nënës se kryeministrit, Edi Rama.

Një atentat i tretë ka pasur në shënjestër një komisar policie, i cili fatmirësisht nuk ndodhej në shtëpi në momentin e shpërthimit. Nga këto tre atentate, fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar, por familja e Tahirit është marrë në mbrojtje të policisë.

Reagimet e politikës shqiptare, por edhe ndërkombëtare kanë qenë të menjëhershme. Partia Socialiste, nëpërmjet kryetarit të grupit, Erion Braçe, i cilëson atentatet si sulm ndaj ministrit të Brendshëm për shkak se po godet krimin e organizuar.

Vetë Tahiri, nëpërmjet rrjetit social “Facebook” ka falënderuar të gjithë ata që e mbështetën në këtë ditë të vështirë për të dhe familjen e tij, duke premtuar më tej se nuk do të ketë kompromis me krimin e organizuar.

Reagime në mbështetje të ministrit ka pasur edhe nga delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Ambasada amerikane dhe përfaqësia e OSBE-së. (Luljeta Ndoka, TVM2)