Maqedoni

Kuvendi shqyrton Ligjin për procedurë kontestimore

27.03.2023 16:47

Ligjvënësi azauroi diskutimin për Ligjin e procedurës kontestimore, i cili pretendon të mënjanojë problemet në zbatimin e tij...

Ligjvënësi azauroi diskutimin për Ligjin e procedurës kontestimore, i cili pretendon të mënjanojë problemet në zbatimin e tij, që konsistojnë në përshpejtimin e procedurës në kontestet me vlerë të vogël, ekspertiza dhe dërgimi. Veç kësaj me pr/ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurë kontestimore bëhet harmonizimi i këtij të fundit me dy direktiva të BE-së, përkatësisht direktivën për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe direktivën që rregullon aspekte të caktuara të ndërmjetësimit në çështjet civile dhe tregtare. Sipas opozitës edhe me këto ndryshime shumë çështje mbeten të hapura. 
 
“Këtë ligj, kur ta lidhim me Ligjin për ekspertizë, lë hapur shumë çështje. E kthejmë peshën e ekspertimit te gjykata dhe listën e ekspertëve të lirë, por shumë çështje mbeten të hapura edhe te ajo listë. Nuk është definuar se sa zgjat licenca e ekspertëve, nuk është e definuar se kush do t’i lëshojë ato licenca dhe në çfarë afati, etj. Domethënë, çështje që ishin të njohura bëhen të panjohura dhe në vend që të saktësojmë ligjet dhe t’i bëjmë efikase, lëmë hapësirë për manipulime dhe interpretim të lirë të Ministrisë.”, - deklaroi Zdravko Trajanov nga VMRO-DPMNE.
  
Deputetët e shumicës hodhën poshtë pretendimet e opozitës. Sipas tyre, për ndryshimet janë konsultuar të gjithë palët e interesuara si: gjykatat, avokatët dhe organet shtetërore, ndërsa janë marrë parasysh edhe vërejtjet e Bankës Botërore.
  
“Vetëm kritika dëgjojmë nga ju, kolegë të opozitës, për këtë ligj. Konsideroj se duhej të tregoni qëllimin e ndryshimeve të këtij ligji pasi janë shënuar qartë se në bazë të kërkesave të kujt bëhen këto ndryshime të këtij ligji. Konsideroj se me këto ndryshime ne, si Parlament, do t’i japim një imput këtij ligji në zbatimin e tij, i cili po harmonizohet me dy direktiva evropiane.”, - theksoi Kole Çarakçiev nga LSDM.
 
Sipas propozuesit, ndryshimet në ligj do të ndikojnë në përmirësimin e procedurës kontestimore drejt realizimit të suksesshëm dhe efikas të të drejtave dhe interesave të të gjithë pjesëmarrësve në procedurë dhe dispozitat e Ligjit të procedurës kontestimore me ligje tjera të ndërlidhura, duke vendosur kështu sistem të qëndrueshëm civil-juridik përmes plotësimit të zbrazëtirave ekzistuese ligjore dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane. Risi është se përcaktohet edhe afati kohor për kryerjen e procedurës, ku merret parasysh kompleksiteti i lëndës në aspektin e çështjeve juridike dhe faktike.
 
SHPËTIM NUREDINI