Mustafa dhe Vuçiq, marrëveshje për sitemin e drejtësisë në Veri
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, arritën marrëveshje për drejtësinë në bisedimet e ndërmjetësuara nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Federica Mogherini...

Marrëveshja u arrit mbrëm vonë dhe ka të bëj me funksionimin e Gjykatës në veri të Mitrovicës, ku gjysma e prokurorëve dhe gjykatësve do të jenë serbë dhe gjysma shqiptarë.
Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, ka deklaruar se marrëveshja thotë se në gjykatë do të jenë 9 prokurorë shqiptarë dhe 9 serbë, ndërsa ka shtuar se kjo gjykatë do të ketë njësi edhe në komuna tjera të Kosovës.
“Kjo marrëveshja është në interes të serbëve të Kosovës”, është shprehur ai.
Por kryeministri Mustafa, ka vlerësuar se përbërja e kësaj gjykate ‘siguron funksionimin e gjykatave në kuadër të sistemit të Kosovës, në tërë territorin e Kosovës’.
Musfata është pyetur nga gazetarët në Bruksel, nëse palët kanë biseduar gjatë këtij takimi edhe për tema tjera, për çka ai është përgjigjur se nuk do të ketë diskutime t’jera derisa të mos zgjidhet çështja e strukturave paralele, sidomos ‘mbrotja civile’ që funksionon në veri.
Derisa përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian Federica Mogherini në një komunikatë pas takimit thekson se dy kryeministrat “përmbyllën një kapitull kritik për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, që do të përmirësojë në mënyrë substanciale jetën e qytetarëve në terren”.
“Kryeministri Mustafa dhe kryeministri Vuçiq, janë dakorduar të punojnë së bashku për të trajtuar shqetësimet rajonale, midis të cilave edhe çështjen akute të migrimit të paligjshëm nga Kosova”, thuhet në komunikatën e Mogherinit.
