Maqedoni

Komisioni për përdorimin e emrave historik, pritet vendim për fatin e klubit bullgar “Borisi III”

28.03.2023 14:44

Komisioni për përdorimin e emrave historike do të mbajë mbledhje dhe do të përgatisë raport për klubin bullgar...

Komisioni për përdorimin e emrave historike do të mbajë mbledhje dhe do të përgatisë raport për klubin bullgar “Car Borisi i tretë”, pas së cilës ministri i drejtësisë, Krenar Lloga, do të duhet të marrë  vendim të duhur. Në bazë të ligjit për shoqatat dhe fondacionet, klubet bullgare janë të detyruara të aplikojnë për riregjistrim ose do të përballen me shfuqizim. Sipas ndryshimeve në Ligjin për shoqatat dhe fondacionet, u ndalohet shoqatave civile, fondacioneve dhe partive politike të përdorin emra, pseudonime që kanë të bëjnë me fashizmin, nazizmin, dhe gjenocidin.
 
Emrat provokues të klubeve, Osmani: E dëmtojnë vet komunitetin bullgar në RMV
 
I pyetur për këtë çështje, ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani nuk deshti të komentojë ndodhitë në shoqatën “Car Borisi i tretë”. “Nevojitet komunikim i përhershëm me komunitetin  bullgar në vend për t’u sqaruar se hapja e klubeve me emra provokues i dëmton më së shumti ata vetë.”, shtoi Osmani. 
 
“Shpresoj se do të vendoset një komunikim i rregullt dhe komuniteti bullgar do të mund të formojë lirisht klube dhe të mblidhet, por në një mënyrë që qytetarët e tjerë të mos ndihen të ofenduar dhe të provokuar.”, - deklaroi ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani. 
 
Javën e kaluar, me vendim të ministrit të drejtësisë dhe sipas mendimit të mëparshëm të Komisionit kompetent, klubi bullgar “Vanço Mihailov”  nga Manastiri u fshi nga regjistri qendror.
 
FLUTURA LATIFI