Maqedoni
Fuqia punëtore nga jashtë, Baush: Mungon kuadri i kualifikuar
28.03.2023 15:06
Importi i fuqisë punëtore prej jashtë në mënyrë selektive do të zgjidh problemin e mungesës së fuqisë punëtore...

Importi i fuqisë punëtore prej jashtë në mënyrë selektive do të zgjidh problemin e mungesës së fuqisë punëtore. Punëtorët që do të vijnë nga vendet e treta si Nepali apo India do të kompensojnë mungesën e krahut të punës, por jo edhe të zbrazëtirës së punëtorëve ku duhet kualifikim profesional, vlerëson eksperti ekonomik, Abil Baush. Madje, Baush vlerëson se edhe këta punëtorë e shohin Maqedoninë e Veriut si një vend transit për në Evropë.
“E mira është se do të marrim një force të lire punëtore. Tash sa do t’u kushtojë një i punësuar që do të vijë një prej shteteve ku forca punëtore është më e lirë, thuhet se shpenzimet janë të mëdha, por në kalkulimet e bizneseve del se është në rregull dhe profitabile. Por, puna tjetër është se ato do të marrin një force punëtore që ato janë jo të kualifikuar dhe në momentin që ato marrin disa kualifikime ose kualifikohen në vendin tonë këtë rast, atëherë e përdorin si një urë lidhëse me vendet evropiane dhe mandej prej këtu transferohen atje, ku normalisht rroga është më e madhe.”, - deklaroi eksperti ekonomik, Abil Baush.
OEMVP: T’u jepet prioritet punëtorëve nga vendet fqinje
Nga OEMVP thonë se nuk janë kundër kësaj ideje, por së pari shteti duhet të fokusohet në tërheqjen e punëtoreve nga vendet fqinje. Sektorët më të prekur janë ndërtimtaria dhe hoteleria, prandaj nga oda apelojnë se duhet të rriten kuotat për import të fuqisë punëtore në këto sektorë.
“Njëra prej shtyllave të GDP-së së vendit është sektori i ndërtimtarisë dhe pikërisht aty kemi mungesë shumë të madhe dhe të theksuar të fuqisë punëtore. Besojmë që shteti duhet të fokusohet pikërisht në atë pjesë dhe t’i reformon kuotat të cilat janë të parapara me ligj për marrjen e fuqisë punëtore nga jashtë duke i dhënë përparësi këtij sektori të ndërtimtarisë, por edhe sektorit të hotelerisë duke pasur parasysh që po në të njëjtin ligj potencohet që këtë vit kalendarik mundet vetëm 150 të punësuar sezonal të importohen që është skajshmërisht e ulët.”, thonë nga OEMVP.
ERSAN PAJAZITI
