Maqedoni

Seanca për pyetje deputetësh, Grubi fton opozitën të votojë ndryshimet

28.03.2023 16:12

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ftoi deputetet e VMRO-DPMNE-së...

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi ftoi deputetet e VMRO-DPMNE-së që të përkrahin miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe të bëhen pjesë e angazhimeve për një Maqedoni evropiane. Sipas tij, brenda VMRO-DPMNE-së po krijohet një frymë e re, që ua lehtëson vendimmarrjen pro ndryshimeve kushtetuese deputetëve të këtij grupi parlamentar që janë me orientim të tillë. Nëse VMRO-DPMNE nuk ka frikë nga sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit dhe korrupsionit atëherë le të përkrahë ndryshimet kushtetuese, theksoi Grubi. 
 
“Të ndihmoni në ndërtimin e Maqedonisë Veriore evropiane, me kontributin tuaj dhe shpresoj se erërat e reja që po fryejnë në VMRO-DPMNE janë konstruktive dhe do të japin kontribut dhe së bashku do t’ia dalim që të rrumbullakojmë tregimin për një Maqedoni Veriore evropiane, siç e bëmë me ju në mandatin e kaluar. Po të mos ishit ju, Maqedonia nuk do të ishte në NATO. Po të mos jepnit ju kontribut me votat tuaja për ndryshimet kushtetuese, nuk do të ishim në NATO, edhe tani do të jetë e njëjta.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi. 
 
Micevski mohon përkrahjen: S’i keni numrat
 
Koordinatori i Grupit Parlamentar i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, nuk mohoi frymën e re në VMRO-DPMNE, por tha se qëndrimi ndaj ndryshimeve kushtetuese nuk ka ndryshuar madje, ngriti dyshimet se shumica nuk i ka të sigurta votat e saj.
 
“Erërat e reja në VMRO-DPMNE do të sjellin çdo gjë, por fillimisht do të pastrojnë krimin, korrupsionin dhe ndarjen e tenderëve në katër sy. Erërat e reja do të sjellin respektimin e shtetit dhe popullit maqedonas në këtë shtet dhe nëse jeni aq të sigurt se keni deputetë, ejani që sot të vëmë në votim ndryshimet kushtetuese dhe të shihni se sa nga deputetët e juaj nuk do të votojnë.”, - theksoi koordinatori i GP-së të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski.
 
Debati për ndryshimet kushtetuese u zhvillua në seancën për pyetje deputetësh. Ndryshimi kushtetues është një ndër sfidat kryesore politike, të këtij viti, për të vazhduar procesin e bisedimeve për anëtarësim në Unionin Evropian. Konsensusi politik për këtë çështje ende duket i largët.       
 
SHPËTIM NUREDINI