Maqedoni

Heqja e 20%-it nga kushtetuta, BESA paralajmëron mospjesëmarrjen në bisedime, pushteti fton partitë të përqendrohen tek integrimi

28.03.2023 18:02

Nisja e procesit për ndryshimet kushtetuese riaktualizon çështjen e heqjes së 20%-it...

Nisja e procesit për ndryshimet kushtetuese riaktualizon çështjen e heqjes së 20%-it. Opozita shqiptare kërkon që ky formulim mos të figurojë në kushtetutë. Grupi parlamentar i Lëvizjes “Besa” të cilët kanë qenë më të zëshëm me kërkesën e heqjes së 20%-it, thonë se s’do marrin pjesë në procesin negociues nëse kërkesa e tyre nuk përfillet. 
 
“Është çështje kryesore për të cilën do të kërkohen ndryshimet kushtetuese. Ne nuk do të marrin pjesë në procesin e negocimeve, nëse nuk ka heqje të 20%-it. Ky është kusht kryesor pa të cilin nuk ka negociata.”, thotë Fadil Zendeli nga Lëvizja “Besa”.
 
Edhe alternativa më herët është shprehur për heqjen e 20%, por jo si formë shantazhi dhe kërcënimi ndaj ndryshimeve kushtetuese. Partitë në pushtet konsiderojnë se partitë do të duhet të përfshihen në ndryshimet kushtetuese. Kryeministri Dimitar Kovaçevski fton opozitën që të mos fshihet dhe të kyçet në procesin e ndryshimeve kushtetuese, të rëndësishme për të ardhmen e shtetit.
 
“Prioritet sa i takon kushtetutës është përmbushja e obligimit tonë nga korniza negociuese të cilën e kanë miratuar 27 vende anëtare të BE-së në pjesën e amendamenteve kushtetuese për përfshirjen e pjesës së popujve tjerë të cilët jetojnë në shtet. Procesi i ndryshimeve kushtetuese do të nis me formimin e komisionit në të cilin janë ftuar edhe përfaqësues të opozitës dhe përfundimisht opozita duhet të merr pjesë në një proces strategjik, ndërkaq politikanët duhet të jenë të vendosur.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
 
Bujar Osmani nga BDI konsideron procesi i ndryshimeve kushtetuese do të duhet të fokusohet kah BE dhe mos të ngarkohet me çështje të tjera politike.
 
 “Tani do të duhet të fokusohemi në ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me vazhdimin e negociatave me BE-në, pasi që ato janë plotësisht teknike dhe nuk kanë pasoja politike, nuk sjellin kërcënim për shtetin dhe bashkësitë.”, - theksoi Bujar Osmani nga BDI.
 
VMRO – DPMNE kundërshton kategorikisht ndryshimet kushtetuese, duke thënë se për të njëjtat kryeministri nuk ka pëlqimin a të disa deputetëve të partisë së tij, duke kërkuar sa më shpejtë seancë plenare që t’i jepet fund tendencës për të ndryshuar kushtetutën.
 
MERAL ISMAILI