Maqedoni
Lufta në Ukrainë, Rusia kërcënon botën me armë bërthamore, OKB: Vendimet e Rusisë të papërgjegjshme
28.03.2023 19:06
Plani rus për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi është i rrezikshëm...

Plani rus për të vendosur armë bërthamore në Bjellorusi është i rrezikshëm, vendim “i papërgjegjshëm” dhe përshkallëzues. Zëdhënësi i OKB-së, Stéphane Dujarric, tha se rreziqet aktuale bërthamore janë "shqetësuese".
Ukraina bëri thirrje për një takim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për lëvizjet e armëve bërthamore ruse pasi ato minojnë "sistemin ndërkombëtar të sigurisë në tërësi".
"Sa i përket qëndrimit tonë ndaj raporteve që kemi parë për armët bërthamore në Bjellorusi, dua t’u them se rreziqet aktuale bërthamore janë alarmante dhe të gjitha veprimet që mund të çojnë në llogaritje të gabuara ose përshkallëzime me pasoja katastrofike duhet të shmangen. Të gjitha shtetet palë, që janë shtetet me armë bërthamore dhe shtetet që nuk kanë armë bërthamore, duhet t'u përmbahen rreptësisht angazhimeve dhe detyrimeve që kanë marrë sipas Traktatit Bërthamor të mospërhapjes bërthamore.”, - deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.
Zelensky: Uzina është në duart e rusëve, nuk ka siguri
Presidenti i Ukrainës, Volodimyr Zelesky, tha se siguria në uzinën bërthamore në Zaporizhia nuk mund të garantohet sepse trupat ruse po e mbajnë “peng” për të kërcënuar botën.
“Impiantin bërthamorë në Zaporizhzhia, Rusia e përdor si shantazh rrezatimi për botën. Mbajtja peng e një centrali bërthamor për më shumë se një vit është gjëja më e keqe që mund të ndodhë në historinë e energjisë bërthamore evropiane dhe në përgjithësi globale. Sa më gjatë të vazhdojë pushtimi i uzinës bërthamore nga Rusia, aq më i madh do të jetë kërcënimi për sigurinë e Ukrainës, Evropës dhe të gjithë botës.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grossi mbajti një takim me presidentin Zelensky, në hidrocentralin Dnipro – në verilindje të uzinës Zaporizhzhia. Iniciativat për rivendosjen e sigurisë në impiant, deri tani kanë dështuar.
Lufta rreth termocentralit dhe shqetësimet për mungesën e ujit dhe se sistemet e ftohjes mund të humbasin energjinë kanë ngritur frikën për një fatkeqësi bërthamore. Rusia dhe Ukraina akuzojnë njëra-tjetrën për bombardimin e uzinës në Zaporizhzhia.
Trupat ruse kanë pushtuar termocentralin bërthamor, më i madhi në Evropë, që në javët e para të pushtimit të Ukrainës dhe nuk kanë treguar prirje për të hequr dorë nga kontrolli.
FARIJE DAUTI BAKIJU
